Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që pret së shpejti të bëhet kryeministër i Kosovës, ka paralajmëruar kthimin e terminaleve doganore te shteti demokratik.
Ka marrë shkas për këtë nga kthimi i numrave të Z-Mobilet te Vala.
“Beteja ishte e gjatë, mirëpo mbrëmë në mesnatë, më në fund, 300 mijë numra të Z-Mobile kanë kaluar te Vala. Besoj që shumë më e shkurtër do të jetë beteja e kalimit të terminaleve doganore të privatizuara te shteti demokratik i Kosovës”, ka thënë Kurti.
Vala përmes një komunikate për media, përmes Departamentit për Relacion me Publik, ka njoftuar se nga sot, në orën 00:00, është mbajtur ceremonia zyrtare e kalimit të të gjithë numrave Z-MOBILE në platformën e VALA-së.
Këtë vendim më herët e kishte marrë Bordi Drejtues i Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).
Ndaj këtij vendimi është ankuar Z-Mobile që ka thënë se ky brend është mbyllur dhunshëm.
Kurti nuk ka specifikuar se për cilin terminal e ka saktësisht. Në mesin atyre që kanë terminal janë edhe Devollët, që po ashtu ishin pronarë të Z-Mobilet. Por Devollët nuk janë të vetmit që kanë terminal doganor.