Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se Avdullah Hoti në pozitën e zëvendëskryeministrit, ka qenë destruktiv gjatë kohës së qeverisjes.
Ai thotë se Hoti nuk është as ndër 10 personat më të votuar në zgjedhjet e 6 tetorit.
Për kandidimin e tij nga LDK-ja për pozitën e kryeministrit, ai ka thënë se presidenti Thaçi kërkon një kryeministër të dobët.
“Hoti ka qenë destruktiv thua se kishte një kovë me rërë që rrotave të Qeverisë më të mirë të pasluftës t’ua hedh dhe ta ngadalësojë ecjen tonë. As ndër 10 njerëzit më të votuar nuk është. Nuk bëhet fjalë për demokraci dhe legjitimitet, bëhet fjalë për dëshirën e presidentit ta ketë një kryeministër të dobët. Meqenëse presidenti dëshiron të jetë më shumë se president atij i nevojitet një kryeministër që është më pak se kryeministër. Ai do që kryeministri t’ia mbajë ison në intencën në gjendjen e jashtëzakonshme. Me mua nuk e bënë këtë. Shkoi në Washington u kthye pa marrëveshje, erdhi në këshillin e sigurimit dhe doli pa vendim”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq vendimin e Thaçit për t’ia dhënë mandatarin LDK-së, e ka quajtur arbitrarë.
Ai tutje ka thënë se nuk do të diskutojë ende për një Qeveri, e cila sipas tij nuk dihet ende nëse do të ndodhë.
”Unë nuk e kam tekstin me nënshkrim të ofertës së presidentit për partinë e dytë. E kam parë në media si përfalje por jo edhe letrën. Duhet ta shohim letrën dhe të analizojmë se në çfarë baze kushtetuese. Se bëhet fjalë për shkelje s’ka dyshim. Letra e parë e presidentit ishte më 2 prill, në pasditen e 22 prillit ai konstatoi se po e refuzojmë, ku e mori ai që duhet të pritet 20 ditë. Është totalisht arbitrare. Thaçi duhet ta respektojë kushtetutën, nëse ka zbrastira në kushtetutë nuk e shkruan presidenti”, ka thënë ai.
Sipas tij, ka shumë punë që të mbërrihet deri te një qeveri e re.