Manastiri i Deçanit ka dalë kundër vendimi të vitit 2016 të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, lidhur me pronën e tij.
Në një reagim në Twitter, Manastiri i Deçanit ka thënë se dioqeza serbe ka qenë gjithmonë e hapur për dialog me institucionet e Kosovës.
“Dioqeza ortodokse serbe në Kosovë ka qenë gjithmonë e hapur për dialog me institucionet e Kosovës, por jo për ligjshmërinë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016, i cili konfirmoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë. Ky është një qëndrim i vendosur i ambasadorëve të BE-së, OSBE-së dhe shteteve të Quint-it”, thuhet në reagimin e tyre.
Ata më tej kanë theksuar se “akuzat e pabaza ndaj Kishës nga zyrtarët rrezikojnë sigurinë, të drejtat e pronës dhe liritë fetare”.
“Për shkak të shkeljeve sistematike të të drejtave tona, madje edhe atyre të garantuara me ligjet e Kosovës , Kisha Ortodokse Serbe nuk mund të jetojë normalisht në Kosovë pa mbrojtje gjithëpërfshirëse të identitetit, të drejtave, pronës dhe lirive të saj me garanci të forta ndërkombëtare dhe mbrojtjen e KFOR-it në Deçan”, thuhet në reagimin e Manastirit të Deçanit në Twitter.
Ky reagim i tyre vjen pas deklaratës së djeshme të kryeministrit Albin Kurti, në Seminarin e 102-të të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ku është pyetur për çështjen e tokës së Manastirit të Deçanit.
Kurti ka thënë se beson se kjo çështje do të zgjidhet, por është ankuar se priftërinjtë në atë Manastir nuk janë duke e takuar.
“Për Manastirin e Deçanit, janë 24 hektarë tokë që iu dhanë para 25 vjetëve nga regjimi i Millosheviqit. Kemi vendim të Kushtetueses, por ka lëndë administrative në lidhje me pronat. Besoj çështja do të zgjidhet, jam optimist. Jam kryeministri i parë i Kosovës i cili nuk pranohet në takim nga priftërinjtë ortodoksë në Manastirin e Deçanit. Janë takuar pararendësit e mi, por mua nuk më duan në takim. Kam kërkuar takim por më refuzojnë. Besoj se mund të përfshihemi në dialog e të zgjidhim problematikat që i kemi. Ne duam ta ruajmë Manastirin e Deçanit, që është trashëgimi kulturore e gjithë qytetarëve”, ka thënë Kurti. /