Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar sot për në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht, ku do të marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Partia Socialiste Evropiane (PES), në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet evropiane në qershor të këtij viti.
Gjatë qëndrimit atje, kryeministri do të ketë takime me përfaqësues dhe liderë të partive të ndryshme simotra. PES do të mbajë sot konferencë dhe takim udhëheqës në Bukuresht. Aty do të marrin pjesë kandidati i përbashkët i PES për zgjedhjet evropiane Nicolas Schmit, presidenti i PES Stefan Lofven, kryeministri i Rumanisë, Marcel Ciolacu, kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz, presidenti i S&D dhe zëvendëspresident ekzekutiv i PES Iratxe García, Katarina Barley nga SPD Gjermani dhe zëvendës presidente ekzekutive e PES.
Partia e Socialistëve Evropianë (PES) është një parti politike socialdemokrate dhe progresive evropiane. PES përbëhet nga parti politike të nivelit kombëtar nga të gjitha shtetet e zonës ekonomike evropiane (EEA).Ndryshe, në muajin qershor qytetarët evropianë zgjedhin deputetët e Parlamentit Evropian.
Zgjedhjet do të mbahen më 6 dhe 9 qershor 2024, ndërkaq qytetarët e 27 vendeve anëtare do të zgjedhin 705 deputetë të Parlamentit Evropian, të cilët do të kenë mandat nga viti 2024 deri në vitin 2029.