Ka frymëzuar qindra libra, dhjetëra dokumentarë dhe të paktën nëntë filma.
Amerika dhe bota kanë një magjepsje me vrasjen e presidentit John F Kennedy.
Dhe më shumë se 61 vjet më vonë, banori i ri i Shtëpisë së Bardhë është i angazhuar për zbulimin e plotë të vrasjes.
“Kjo është një gjë e madhe”, tha presidenti Donald Trump, ndërsa nënshkroi urdhrin ekzekutiv për deklasifikimin e dokumenteve.
“Shumë njerëz e presin këtë për një kohë të gjatë, me vite, me dekada”, shtoi ai.
“Dhe gjithçka do të zbulohet”, përfundoi republikani.
Por nipi i presidentit të ndjerë, Jack Schlossberg, akuzoi Donald Trumpin për përdorimin e vrasjes së gjyshit të tij si një “mbështetje politike”, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
Në një deklaratë të postuar në internet, ai tha: “Teoritë e konspiracionit të JFK – e vërteta është shumë më e trishtueshme se miti – një tragjedi që nuk duhej të ndodhte. Jo pjesë e një skeme të madhe të pashmangshme”.
“Deklasifikimi është përdorimi i JFK-së si një mbështetje politike, kur ai nuk është këtu për të kundërpërgjigjur. Nuk ka asgjë heroike në të”shtoi ai.
Bëhet e ditur se John F Kennedy ishte një ikonë politike – ai e drejtoi Amerikën përmes krizës së raketave Kubane, më e afërta që i kishte ardhur ndonjëherë luftës bërthamore.
Ai u qëllua për vdekje në Dallas, Teksas, më 22 nëntor 1963 – një ngjarje që mahniti botën dhe jehon ende sot.
Sondazhet e opinionit kanë treguar vazhdimisht se shumica e amerikanëve nuk besojnë se Lee Harvey Oswald ishte sulmuesi i vetëm.
Madje, teoricienët e konspiracionit ia hedhin fajin të gjithëve, nga Kuba – në zemër të krizës së raketave bërthamore – deri te vetë CIA.
Shumë dosje janë publikuar tashmë, duke përfshirë 13,000 dokumente gjatë mandatit të presidentit Joe Biden, por shumica janë redaktuar.
Por ‘kush e qëlloi JFK?
Pyetja i përshtatet narrativës së Trumpit për një “shtet të thellë” që fsheh sekrete nga popullata amerikane.
Raportohet se vrasja e Kennedy vazhdon të jetë një simbol i mungesës së besimit të njerëzve në qeverinë e tyre.
Ndryshe, urdhri ekzekutiv i Trumpiut mbulon gjithashtu dosjet që lidhen edhe me vrasjen e vëllaut të John F Kennedy, Robert F Kennedy, si dhe Martin Luther King Jr.
Drejtori i Inteligjencës Kombëtare dhe Prokurori i Përgjithshëm kanë 15 ditë për të paraqitur planin për publikimin e dokumenteve të John F Kennedy dhe 45 ditë për dokumentet e Robert F Kennedy dhe Martin Luther King Jr.