Një 23-vjeçar i identifikuar si Renis Dobra është gjetur këtë të mërkurë në afërsi të Shkopetit, pa shenja jete, në një zonë të pyllëzuar.
Sipas policisë, babai i viktimës kishte denoncuar një ditë më parë zhdukjen e të birit, fakt i cili mobilizoi policinë për gjetjen e tij.
Por pas zbulimit të trupit të viktimës, janë konstatuar shenja dhune, gjë e cila ngriti dyshimet se 23-vjeçari mund të jetë vrarë. Kërkimet e policisë zbuluan se automjeti i viktimës kishte përfunduar në lumë, gjë që përforcoi edhe më shumë dyshimet se ngjarja kishte prapavijë kriminale.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, në trupin e viktimës janë konstatuar shenja të dukshme dhune, përfshirë mavijosje në zonën e fytit. Këto shenja ngjallin dyshime të forta se i riu është mbytur fillimisht me litar dhe më pas është hedhur në zonën e Shkopetit, me qëllim për të fshehur krimin.
Ndërkohë, kamerat e sigurisë kanë konstatuar një automjet që shoqëronte makinën e të riut nga fshati Zenisht deri në qytetin e Burrelit.
Hetimet janë marrë në dorë nga një grup i posaçëm hetimor, ndërsa Prokuroria e Rrethit të Matit ka nisur procedurat për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë informacione zyrtare mbi motivet e mundshme të kësaj vrasjeje.
Nuk dihet ende nëse viktima ishte i përfshirë në veprimtari kriminale, ndërsa pistat e hetimit janë disa.