Tash e disa muaj, Federata e Futbollit të Kosovës ka punuar që të gjejë pasuesin e Bernard Challandes në stolin e Kombëtares së Kosovës.
Pas një pune të jashtëzakonshme për sa vite te “Dardanët”, FFK shkarkoi Challandes shkaku i rezultateve negative në dy vitet e fundit.
Nga një listë me emra të mëdhenj si Felix Magath, Roberto Carlos, Roberto Donadoni, Alex Frei dhe shumë të tjerë, FFK në orët në vijim mund t’ia besojë pozitën e trajnerit, francezit Alain Giresse.
Por, kush është Giresse dhe çfarë rekordi ka si përzgjedhës, pasi në të kaluarën ka drejtuar shumë Kombëtare nga Afrika.
Giresse ishte në stolin e Kombëtares se Gjeorgjisë, ku la shumë për të dëshiruar në 10 ndeshje, arriti të shënoi dy fitore, nxori dy barazime dhe pësoi gjashtë humbje, prandaj pastaj u shkarkua në vitin 2004.
Dy vite më vonë, stolin teknikut francez, ia besoi Kombëtarja e Gabonit, me të cilët kishte një rekord pozitiv. Në 31 ndeshje, arriti 16 fitore, barazoi shtatë herë dhe pësoi humbje tetë herë. Këtë rekord e arriti brenda katër viteve, pra mori drejtimin me 3 mars 2006 dhe u largua me 13 shkurt 2010.
Pas largimit nga Gaboni, Giresse nuk priti shumë dhe dy muaj më vonë mori drejtimin e Kombëtares së Malit, të cilët i drejtoi për shumë vite.
Pastaj, kishte rastin e artë të drejtonte një Kombëtare të madhe të Afrikës, siç është Senegali, ku brenda dy viteve, drejtoi 18 ndeshje, me një rekord prej shtatë fitoreve, tetë barazimeve dhe tre humbje.
Pas shkarkimit nga senegalezët, Giresse u rikthye sërish te Mali edhe për dy vite të tjerë nga viti 2015 në vitin 2017.
Kombëtarja e fundit që ka drejtuar tekniku francez është Tunizia, me të cilët në 12 ndeshje, fitoi pesë herë, barazoi katër të tjera dhe pësoi tre humbje.
Në përgjithësi, Giresse ka drejtuar 162 ndeshje, duke shënuar 63 fitore, barazoi 50 herë dhe pësoi 49 herë humbje, me një përqindje prej 38.89.
Gjërat pozitive dhe negative të Giresse
Në rast që Giresse merr drejtimin e Kosovës, e mira është që shumë lojtarë të rinj mund të ftohen për herë të parë dhe të dëshmojnë kualitetin.
Në secilën Kombëtare që ka drejtuar, tekniku francez gjithmonë ka përdorur më shumë se 30 lojtarë, sidomos te Senegali që brenda dy viteve provoi 63 lojtarë.
Por, një rekord që nuk është i mirë për ish mesfushorin e Francës është golaverazhi, ku zakonisht ka qenë 0.8-1.5 për ndeshje, që nënkupton se trajneri preferon lojë mbrojtëse me kundërsulme.
Kjo ndoshta mund t’i konvenojë Kosovës, duke marrë parasysh se kemi lojtarë të shpejtë nga krahët, që mund të rrezikojnë shumë kundërshtarët.
Kujtojmë, Kombëtarja e Kosovës në muajin mars do përballet me Burkina Faso dhe Zvicrën.