Kush është ‘Endri Kajsiu’, autori imagjinar që mbron aferat e Edi Ramës

albnews
By
11 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Në fund të vitit 2018, kur mijëra studentë mbushën sheshet për të protestuar kundër kushteve të mësimdhënies dhe kostove në rritje të universiteteve publike, qeveria u gjend përballë një prej sfidave më serioze të mandatit të saj të dytë. Kryeministri Edi Rama reagoi fillimisht me përbuzje, duke i përshkruar protestuesit si studentë ngelës, të motivuar më shumë nga interesat personale sesa nga një kauzë publike.

Pothuajse në të njëjtën kohë, një artikull i firmosur nga “Endri Kajsiu” nisi të qarkullonte gjerësisht në një sërë portalesh të afërta me qeverinë. “Pikë së pari,” shkruante autori, “ajo që duhet ta kemi të qartë është se në protestën e sotme ishte vetëm një pakicë studentësh, ata që u është djegur një pagesë shtesë kur kanë ngelur në provime.” Mesazhi pasqyronte, pothuajse fjalë për fjalë, qëndrimin e kryeministrit.

Dy javë më vonë, ndërsa protesta jo vetëm që nuk u shua, por e vuri qeverinë nën presion të hapur dhe e detyroi Ramën të fliste për “dialog” me studentët, edhe toni i “Kajsiut” ndryshoi. “Pa dyshim,” shkruante ai këtë herë, “sot është shumë e lehtë të jesh me studentët. Kauza e tyre jo vetëm që është joshëse, por edhe e drejtë.” Në të njëjtin shkrim, autori u bënte thirrje studentëve të qëndronin larg opozitës dhe i nxiste të pranonin kompromisin e ofruar nga kryeministri – një paketë reformash që, sipas tij, shkonte “më tej nga sa ishte kërkuar”.

Kjo kthesë 180 gradë nuk ngjan thjesht me evolucionin e mendimit të një opinionisti. Përkundrazi, ajo pasqyron përshtatjen e një zëri të supozuar si të pavarur me mesazhet që qeveria kishte interes të përcillte në momente të ndryshme të krizës. Më shumë se 7 vjet më vonë, Kajsiu vijon e “shkruan” rregullisht opinione të ngjashme që çojnë ujë në mullirin e qeverisë. Ai fillimisht publikohet nga faqja online Lexo.al dhe më pas rimerret nga një sërë mediash të tjera.

Artikulli i fundit, që e ktheu atë në “personazh publik”, analizonte se pse Shqipëria nuk ngjan me Venezuelën, ndërsa ironizonte si “trushkulur” zërat e opozitës që e krahasojnë kryeministrin Rama me presidentin Nicolas Maduro. Teksti i ra në sy ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili, ndërsa doli nga zyrat e Prokurorisë së Posaçme – ku paraqitet për shkak të masës së sigurimit, aludoi se autor i tij ishte vetë kryeministri Edi Rama.

“Ka marrë emrin e Endri Fugës dhe mbiemrin e Blendi Kajsiut”, tha Berisha.

Por ndërsa spekulimi i bërë nga Berisha nuk mund të provohet, fakti është që një person me emrin Endri Kajsiu – në regjistrat shqiptarë – nuk ekziston. Të dhënat e para nga BIRN tregojnë se ky emër nuk ka një profil në mediat sociale, dhe as një foto apo CV akademike ose profesionale që do ta kualifikonte për të shkruar opinione dhe komente që publikohen gjerësisht në media, përfshi botime të shtypit të shkruar dhe mediat elektronike.

Për ekspertë të medias, ky nuk është thjesht një pseudonim por një skeme fabrikimi e opinionit publik i njohur si ‘astroturfing’.

“Por, dhe kur përdoren emra fiktivë, media e ka për detyrë të informojë publikun që emri i përdorur është llagap,” thotë Koloreto Cukali, kryetar i Këshillit Shqiptar të Medias.

“Ky është një nga parimet thelbësore të funksionimit të një medieje nëse ajo pretendon se i shërben informimit të publikut”, shtoi ai.

Edhe Isa Myzyraj, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, ishte kritik për mungesën e transparencës.

“Absolutisht kemi të bëjmë me një ‘troll’ që vjen në një formë të avancuar përmes një emri fiktiv dhe një personazh që nuk ekziston”, tha ai.

Lexo.al, si botuesi kryesor i shkrimeve me këtë emër, nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN për “Endri Kajsiun”. As botime të tjera që i kanë ripublikuar shkrimet nuk komentuan.

‘Astroturfing’

Në gazetari, opinioni, editoriali apo komenti, janë zhanre me peshë, që u lihen përgjithësisht në dorë kryeredaktorëve, gazetarëve me më shumë përvojë apo ekspertëve që japin mendim për çështje në fusha ku kanë ekspertizë.

Përgjithësisht shkruesit në këto kategori janë më së paku emra e fytyra me të cilat publiku është njohur prej kohësh dhe për pasojë edhe priret t’u besojë. Por “Endri Kajsiu” nuk bie në asnjë prej këtyre kategorive.

Emri i tij u shfaq shpesh në portale pranë qeverisë, i vendosur në krye të titujve që nisin me “Kajsiu:”, duke i dhënë shkrimeve një autoritet personal që përforconte mesazhin politik.

Ndryshe, për këtë artikullshkrues dihet shumë pak – përtej pseudonimit që e identifikon.

Nuk dihet as mosha, as shkollimi dhe as pse ai është në gjendje të ndajë mendime për tema të ndryshme, nga protesta e studentëve deri tek marrëdhëniet SHBA-Venezuelë. Në disa raste, disa media në mënyrë abuzive kanë përdorur për të shoqëruar shkrimet e këtij pseudonimi fotot e Blendi Kajsiut – një studiues i njohur i shkencave politike dhe lektor në disa universitete.

Por anonimato, ripublikimi masiv dhe fakti që “shkruesi” përsërit përgjithësisht mesazhet mediatike të qeverisë dhe kryeministrit për çështje e ditës, ngre dyshime se kemi të bëjmë me një fenomen të njohur anglisht si “astroturfing”, një formë e propagandës që synon të bindë publikun se mendimet e qeverisë ndahen masivisht edhe nga opinionistë të tjerë “të pavarur”.

Skema është e thjeshtë. Shkrimet e “Kajsiut” publikohen fillimisht në portalin Lexo.al. Menjëherë pas publikimit, vihet në lëvizje një mekanizëm zinxhir ripublikimi: brenda pak minutash ose orësh, i njëjti tekst – shpesh me të njëjtin titull dhe të njëjtën foto ilustruese, shfaqet në media të tjera si Shqiptarja.com, Gazeta Tema, dhe media të tjera.

Në këtë model të propagandës, kjo shpërndarje ngre dyshime se nuk kemi të bëjme thjesht me një huazim kolegjial mes portalesh, por një strategji e koordinuar për të krijuar masë kritike. Duke u ripublikuar në 3-4 portale kryesore njëherësh, opinioni i një personi anonim kthehet në një temë dite. Kjo krijon iluzionin e konsensusit, sikur një analist i rëndësishëm ka folur, dhe media po e pasqyron. Në realitet, është i njëjti mesazh i nisur nga një pikë e vetme dhe i shumëfishuar për të dominuar motorët e kërkimit dhe rrjetet sociale.

Për Isa Myzyrajn, kjo praktikë është një mashtrim i madh i lexuesve dhe “një përpjekje e dëshpëruar për të ndikuar dhunshëm në opinionin publik”.

“Publiku krijon perceptimin se po lexon mendimin e një individi real, të pavarur, me identitet dhe përgjegjësi personale, ndërkohë që ky identitet është artificial,” tha ai.

“Pra, nuk kemi thjesht mungesë transparence, por fabrikim të opinionit publik, i cili është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me standardet etike të gazetarisë”, shtoi Myzyraj.

Koloreto Cukali thotë se kjo praktikë mashtruese ekziston vetëm për shkak të mungesës së llogaridhënies, e faktit që mediat në Shqipëri nuk i tremben braktisjes nga lexuesi, pasi mbijetojnë për shkak të lidhjeve me pushtetin.

“Në rastin kur shumë nga mediat shqiptare nuk e sigurojnë mbijetesën financiare në bazë të audiencës dhe besueshmërisë, por në sajë të lidhjeve okulte me pushtetin politik-financiar, llogaridhënia ndaj publikut, pra audiencës që i garanton mbijetesën në treg, është zero”, thotë ai.

Pseudonim për të mbrojtur qeverinë

Të dy ekspertët e pranojnë se të shkruarit me pseudonim është një praktikë e njohur në media. Por kjo përdoret kur shkruesi ka arsye të besojë se mund të përballet me persekutim për shkak të qëndrimeve të tij, apo në rastet kur ai është sinjalizues i një afere korruptive apo po jep një dëshmi në të mirë të publikut, por që mund ta vendosë atë në rrezik.

Në rastin konkret, kur shkruesi përsërit pikë për pikë mesazhet e shumicës qeverisëse dhe kryeministrit, rreziqe të tilla nuk ekzistojnë.

Koloreto Cukali, drejtues i Këshillit Shqiptar të Medias (KSHM), thotë se në gazetarinë e vendeve demokratike, anonimati i opinionistit nuk ekziston. Cukali sjell në vëmendje rastin e rrallë të op-ed anonim në New York Times nga një zyrtar i lartë i administratës Trump.

“Arsyeja e anonimatit në këtë rast ishte se autori duhej të vazhdonte punën e tij në shërbim të po atij publiku,” shpjegon Cukali.

Dallimi me rastin shqiptar është drastik. Ndërsa zyrtari amerikan fshihej për të mbrojtur interesin publik nga rreziku i pushtetit, “Endri Kajsiu” fshihet për të mbrojtur pushtetin nga publiku.

“Praktika e përhapur gjerësisht në Shqipëri e vendosjes së emrave fiktivë poshtë opinioneve ka vetëm një funksion: hedhjen e gurit e fshehjen e dorës,” argumenton Cukali, duke shtuar se përgjegjësia është e botuesve.

Myzyraj nga ana e tij thotë se këto fenomene nuk mund të kalohen më në heshtje.

“Institucionet vetërregulluese dhe rregullatore duhet të reagojnë jo duke ndaluar opinionin, por duke kërkuar transparencë mbi autorësinë e opinioneve dhe kërkesa për të ndarë qartë opinionin redaksional nga një analizë e jashtme, madje duke kërkuar që të etiketohet nëse ka një sponsorizim për këtë opinion”, thotë ai.

Sipas tij, mungesa e reagimit e normalizon këtë praktikë dhe e shndërron median nga hapësirë kritike në instrument të propagandës.

Marrë nga BIRN

Share This Article