Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka bërë një thirrje publike për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që janë jashtë vendit.
“Për shkak të kapaciteteve të kufizuara të karantinimit dhe në mënyrë që mos ta rrezikoni shëndetin tuaj, të familjes suaj dhe qytetarëve të tjerë, ju bëjmë thirrje që vetëm rastet, të cilat kanë urgjenca, të paraqiten në Ambasadat dhe Konsullatat e Republikës së Kosovës, për t’u përfshirë në listën e kthimit”, thuhet në njoftim.
Thirrja e plotë e MPJD-së:
Thirrje për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës
jashtë vendit
Për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19 dhe masave të cilat Qeveria e
Kosovës i ka ndërmarrë për ta luftuar atë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe
Diasporës dhe Ministria e Shëndetësisë bëjnë të ditur që secili nga qytetarët
tanë që futet në Republikën e Kosovës, nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar të
Prishtinës apo kufijve tokësor, do të dërgohet në karantinë për 14 ditë, në një
vend të caktuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Për shkak të kapaciteteve të kufizuara të karantinimit dhe në mënyrë që mos ta
rrezikoni shëndetin tuaj, të familjes suaj dhe qytetarëve të tjerë, ju bëjmë
thirrje që vetëm rastet, të cilat kanë urgjenca, të paraqiten në Ambasadat dhe
Konsullatat e Republikës së Kosovës, për t’u përfshirë në listën e kthimit.
Gjithashtu, thirrjen e njëjtë ua bëjmë të gjithë
qytetarëve, të cilët synojnë të hyjnë në Republikën e Kosovës nëpërmjet rrugëve
tokësore.
Pandeminë COVID-19 nuk do të mund ta luftojmë nëse nuk kemi bashkëpunimin e
gjithsecilit. Prandaj, kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj.
Me kujdes, por pa panik.

