Partia Demokratike ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Teatrin Kombëtar.
Përmes një daljeje nga selia blu, sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi tha se tani duket të flasë SPAK duke hetuar penalisht çdo zyrtar publik të përfshirë në këtë shembjen e teatrit, duke filluar nga Edi Rama.
Bardhi shtoi se vendimi i Kushtetueses është vetëm hapi i parë, prova e pakundërshtueshme për abuzimin me pushtetin nga Edi Rama dhe Erion Veliaj.
Bardhi: Partia Demokratike përshëndet vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të shpallur si antikushtetues veprimet e Qeverisë dhe Bashkisë për prishjen e një pasurie kombëtare, si Teatri Kombëtar, me qëllimin e vetëm për ti hapur rrugë një afere të rëndë korruptive. Shfuqizimi i ligjit special dhe VKM që i kalon pronësinë Bashkisë Tiranë, bën nul, bën antikushtetues, të paligjshëm, çdo veprim të kryer nga Bashkia e Tiranës dhe institucionet e tjera të përfshira, pavarësisht se për këto akte nuk është kompetente për shqyrtim Gjykata Kushtetuese. Ky vendim merr në mbrojtje Teatrin Kombëtar, duke e cilësuar si një pasuri që përbën trashëgimi kulturore të Shqipërisë.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ekspozon para shqiptarëve dhe mbarë botës fytyrat e barbarëve që shembën Teatrin dhe goditën në zemër demokracinë, duke përfituar nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese. Vendimmarrja e sotme e Gjykatës Kushtetuese është vetëm hapi i parë, prova e pakundërshtueshme për abuzimin me pushtetin nga Edi Rama dhe Erjon Veliaj. Pas Gjykatës Kushtetuese, radhën e ka Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, SPAK. Autorët e këtij krimi të rëndë kushtetues dhe ligjor, me pasoja të rënda për interesin publik dhe pasurinë tonë publike, kanë emër dhe mbiemër, janë të gjithë të identifikuar dhe duhet të mbajnë përgjegjësi të plotë përpara ligjit. Ata janë Edi Rama dhe Erjon Veliaj.
Erjon Veliaj që edhe sot vijoi hapur të sfidojë drejtësinë, të sfidoi vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese, të injoroi faktin se në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit ka shkatërruar një pasurie kombëtare, duhet të arrestohet menjëherë. SPAK duhet të marrë nën përgjegjësi penale edhe çdo zyrtar publik të përfshirë në këtë paligjshmëri, duke filluar nga Edi Rama e deri tek çdo punonjës policie që u përfshi në aktin e dhunës për shembjen barbare të Teatrit Kombëtar.