Një ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zgjedhjeve vendore për bashkinë e Tiranës, KQZ ka njoftuar ndërprerjen e përgatitjeve të procesit zgjedhor në bashkinë e kryeqytetit, ndërsa sqaron se ky proces do të vijojë normalisht në 5 bashkitë e tjera të vendit.
Në një konferencë për medie, kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi deklaroi se është çështje e kompetencës së Gjykatës Kushtetuese për t’u shprehur mbi ankimin që është bërë nga Erion Veliaj në lidhje me vendimin për shkarkimin e tij nga detyra e Kryebashkiakut të Tiranës.
“Në zbatim të vendimi të Gjykatës Kushtetuese, që dje, KQZ ka ndërprerë dhe pezulluar përgatitjet që lidhen me procesin zgjedhor në bashkinë e Tiranës, ndërkohë vijon normalisht procesi i përgatitjes për 5 bashkitë e tjera. Çdo veprim i KQZ i çdolloj natyre që lidhet me përgatitjet për bashkinë e Tiranës është pezulluar që ditën e djeshme.
Do ishim në shkelje të kushtetutës e kodit zgjedhor nëse KQZ do vazhdonte me procesin përgatitor të zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës. Ndaj e thashë, bazuar në urdhërimi e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe kushdo tjetër që vendimi i GJK i adresohet duhet të respektojë vendimin.
KQZ s’mund të kryejë asnjë lloj veprimi që lidhet me përgatitjet e procesit zgjedhore për zgjedhjet e Tiranës.
Është çështje e kompetencës së gjykatës kushtetuese mbi ankimin që është bërë në kushtetuese nga Veliaj në lidhje me vendimin për shkarkimin e tij. Do vendosë Gjykata Kushtetuese dhe pastaj do shohim për më tej”, deklaroi Celibashi.
Gjykata Kushtetuese pezulloi ditën e djeshme (9 tetor) dekretin e Presidentit Bajram Begaj për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme për kryetar bashkie në Tiranë, pas ankesës së depozituar nga Erion Veliaj. Gjykata vendosi gjithashtu që seanca plenare publike për ankimimin mbi shkarkimin e Veliajt si kryebashkiak i Tiranës të mbahet më 31 tetor.
Sipas ankimimit të avokatëve të Veliajt një javë më parë në Kushtetuese, dekreti presidencial cilësohej si “contra Constitutionem” (antikushtetues) pasi “cenon garancitë kushtetuese që gëzon një i zgjedhur vendor gjatë procedurës së shkarkimit”.
Më 1 tetor, presidenti Begaj dekretoi 9 nëntorin si datën për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme për kryetar bashkie në gjashtë bashki të vendit, përfshi edhe Tiranën.
Vendimi i sotëm i Kushtetueses i referohet vetëm zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë e Tiranës. Zgjedhjet në 5 bashkitë e tjera të vendit, Mat, Tepelenë, Cërrik, Berat dhe Vlorë do të mbahen më 9 nëntor, sipas dekretit të firmosur nga presidenti Bajram Begaj.