Kushtetuesja vendos masë të përkohshme ndaj dekretit të Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Vendimi është marrë pas ankesës së paraqitur nga kryeministri Albin Kurti në emër të Qeveria e Kosovës.

Sipas vendimit, masa e përkohshme hyn në fuqi më 9 mars dhe do të mbetet në fuqi deri më 31 mars 2026.

Gjatë kësaj periudhe ndalohet çdo veprim i presidentes lidhur me Dekretin nr. 24/2026 të datës 6 mars, si dhe çdo veprim i Kuvendit të Kosovës që lidhet me këtë çështje.

“Gjykata thekson se vendosja e masës së përkohshme ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës, përmes së cilës ndalohet ndërmarrja e çdo veprimi nga Presidentja lidhur me Dekretin [nr. 24/2026] të 6 marsit 2026 si dhe ndalimi i çdo veprimi të Kuvendit deri në vendosjen e rastit nga Gjykata Kushtetuese, është në funksion të parandalimit të shkaktimit të dëmit të pariparueshëm për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin demokratik të institucioneve kyçe në vend”, thuhet në vendim.

Gjykata vlerësoi gjithashtu se ndalimi i çdo vendimi apo veprimi të mëtejmë nga institucionet është në interes publik dhe i domosdoshëm për ruajtjen e rendit kushtetues dhe funksionimin demokratik të institucioneve të shtetit.

“Rrjedhimisht, Gjykata, pa paragjykuar meritat e kërkesës KO72/26, konstaton se duhet të vendoset masa e përkohshme ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës”, thuhet më tej në vendim.

Në dokument theksohet po ashtu se më 9 mars 2026 gjyqtari Radomir Laban kishte kërkuar përjashtimin e tij nga vendimmarrja për rastin KO72/26, por kërkesa e tij u refuzua njëzëri nga Gjykata.

Ndërkohë, më 5 mars 2026, Kuvendi i Kosovës kishte mbajtur një seancë të jashtëzakonshme, të thirrur me kërkesë të 42 deputetëve të Lëvizja Vetëvendosje, me pikën e vetme të rendit të ditës zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës.

Sipas procesverbalit të kësaj seance, si kandidatë për president u propozuan Glauk Konjufca dhe Fatmire Mullhaxha-Kollçaku./Telegrafi.

Share This Article