TIRANË– Amnistia Penale ka mbetur sërish peng i 84 votave që duhen për ta miratuar në Kuvend. Burime bëjnë me dije se PS do të tërheqë projektligjin për amnistinë për shkak të përplasjeve me opozitën dhe mosgjetjes së konsensusit.
Në seancën e sotme plenare ishte futur në rendin e ditës edhe amnistia penale, por burime bëjnë me dije se kryeparlamentarja Lindita Nikolla do të njoftojë në nisje të senacës plenare tërheqjen.
Teksa dukej se palët po arrinin një konsensus për ta miratuar amnistinë penale, PD dhe Rithemelimi deklaruan votën kundër.
Një amendament i deputetit socialist, Plarent Ndreca, relator i projektligjit, bëri që kryedemokrati Lulzim Basha të akuzojë PS-në se po tenton të shpëtojë zyrtarët e korruptuar. Por, PS thotë se bëhet fjalë për ulje të dënimit me 1 vit për burrat dhe 1 vit e gjysmë për gratë e të miturit edhe për ata që janë dënuar nga GJKKO, që më parë përjashtohen nga përfituesit. Gjithsesi, ministri Manja nuk e mbylli derën e diskutimeve, duke thënë se janë të hapur që të gjejnë një konsensus.
Ndërkohë, edhe një propozim i PD i ka ndarë palët. Enkelejd Alibeaj ka propozuar faljen e protestuesve të opozitës nga data 1 tetor 2018 deri më 31 dhjetor 2020. Socialistët pranuan pjesërisht propozimet e Alibeajt për të amnistuar protestuesit por jo ata që kanë akuzën e shkatërrimit të pronës dhe kundërshtimit të policisë së shtetit.