Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar sot Rezolutën për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë në Bosnje e Hercegovinë. Rezoluta u iniciua nga koalicioni boshnjak ne Kuvendin e Kosovës, Vakat.
Për miratimin e kësaj Rezolute kanë votuar 89 vota deputetë, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Këtë Rezolutë të propozuar nga koalicioni boshnjak e kanë përkrahur të gjitha grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës.
Në ndërkohë gjatë kohës kur filloi diskutimi për këtë pikë të rendit të ditës, Lista Serbe e ka lëshuar sallën e Kuvendit.
Në bazë të rezolutës, dënohet ashpër gjenocidi i shtetit serb në Srebrenicë ndaj pjesëtarëve të popullit boshnjak dhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut si dhe dënohet çdo tendencë për të mohuar qëllimisht dhe publikisht gjenocidin e Srebrenicës, me qëllim të denigrimit të viktimave dhe fshehjen e motiveve të krimeve të kryera.
Rezoluta po ashtu fton institucionet shtetërore që të nderojnë viktimat e gjenocidit në Srebrenicë dhe, duke marrë parasysh se Parlamenti Evropian e ka shpallur këtë Ditë të Përkujtimit për gjenocidin në Srebrenicë, datën 11 korrik të shpallet ditë përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë.
Kryeministri Albin Kurti në fjalën e tij në Kuvend ka folur për propozim-rezolutën e dënimit të Gjenocidit të Srebrenicës, raporton Gazeta Express.
Kurti tha se po mbështetet kjo rezolutë sepse është veprim fisnik.
“Sot po e mbështesim një rezolutë me rastin e 26 vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë. Ky është një veprim fisnik dhe i duhur e mbi të gjitha universales tonë njerëzore e dëshirës sonë për drejtësi. Gjenocidi në Srebrenicë është masakra më e madhe në Evropë pas luftës së dytë botërore. Për vit ne e kujtojmë Srebrenicën duke bërë thirrje për drejtësi. Në vitin 2016 unë shkova në Srebrenicë i ftuar nga Nënat e Srebrenicës.Srebrenica ishte e mbushur me varre e përkujtimore”, ka thënë Kurti.
Kryeministri Kurti ka pyetur se kush janë ata kriminelë që i fshehin trupat e vrarë.
“Së pari gurët e varreve ankohen për mungesën e trupave, ata janë vrarë prej ushtrisë dhe paramilitarëve serbë. Kush janë ata kriminelë që bëjnë krim mbi krim duke fshehur trupat e vrarë. Millosheviqi vdiq i padënuar, bashkëpunëtorët e tij mbi 4000 mijë ushtarakë serbë jo vetëm që janë të lirë por janë në pushtet dhe vendimmarrës. Karagjiqi e Mlladiqi janë dënuar, por ende bashkëpunëtorët e tyre s’janë dënuar. Rezultatet e Gjenocidit pra entitete të dala nga spastrimi siç janë Republika Serbe funksionojnë duke e defunksionalizuar Bosjen”, ka thënë Kurti.