Turneu i këtij viti është më i veçanti i organizuar ndonjëherë. Jo vetëm është më i shtrenjti, por edhe i pari që organizohet në dimër. Temperaturat gjithsesi parashikohet të arrijnë deri në 30 gradë celsius.
Ndryshimi i datave të Botërorit, që zakonisht luhet në verë, ka shkaktua jo pak kritika dhe reagime. Por ka disa që shpresojnë se, fakti që luhet në dimër, do ta bëjë edhe më spektakolar, për shkak se lojtarët janë në kulmin e formës.
Ky është Botërori i parë që organizohet nga një shtet mysliman. Një nga arsyet me të cilat FIFA justifikoi vendimin për t’ia akorduar Katarit, ishte pikërisht fakti që turneu nuk ishte zhvilluar kurrë në atë pjesë të botës.
Por vendimi nuk kaloi pa probleme. Katari ka ndaluar shitjen e alkoolit brenda stadiumeve, por e ka lejuar vetëm në zona të caktuara në rrugët e Dohas.
Ky është edhe Botërori i parë ku të gjitha ndeshjet do të luhen në një qytet të vetëm. Katari ka ngritur 8 stadiume rreth kryeqytetit, për të ofruar një eksperiencë unike, të cilën tifozët e futbollit nuk e kanë përjetuar kurrë më parë.
Ky është Botërori i parë ku do të gjykojnë ndeshjet e meshkujve, gjyqtare femra. Yamashita Yoshimi, Salima Mukansanga dhe Stephanie Frappart janë tre gjyqtaret femra brenda grupit me 36 arbitra që janë thërritur për të drejtuar ndeshjet e Kupës së Botës.
Për herë të parë në historinë e Kupës së Botës, skuadrat do të kenë mundësi të kryejnë 5 zëvendësime gjatë ndeshjeve, ndërsa gjithashtu për herë të parë, trajnerët kanë pasur mundësi të merrnin 26 lojtarë me vete, nga 23 që grumbulloheshin zakonisht.