Gazeta “Daily Telegraph” ka identifikuar shqiptarin që u vetëvra në një anije në Britani. Bëhet fjalë për 27-vjeçarin nga Manëza e Durrësit, Leonard Farruku.
Në bisedën e fundit me të afërmit thuhet në artikull, Leonardi kishte thënë se kushtet në anijet hotel ishin të mira por rojet e sigurisë i trajtonin emigrantët si kafshë.
E motra e Leonardit e cila jeton në Itali ka deklaruar se “do të gjejë qetësinë vetëm atëherë kur të mësojë të vërtetën se çfarë ndodhi atë natë me vëllanë në anijen hotel Bibby Stockholm”.
Sipas saj, ai mbërriti në Angli me ëndrrën për një punë më të mirë dhe më e rëndësishmja të fitonte leje qëndrimi përgjithmonë në Angli. Dhe për t’ia arritur këtij qëllimi, ka theksuar ajo, ai iu bind kërkesës së ‘Home Office’ për të shkuar për t’u akomoduar në atë anije.
Për ngjarjen tragjike të vetëvrasjes së Leonard Farrukut një zënës i Home Office tha se:
“Ky ishte një incident tragjik dhe ngushëllimet tona shkojnë me të prekurit. Mirëqenia e personave nën kujdesin tonë ka një rëndësi parësore dhe ne marrim përgjegjësinë tepër seriozisht për këtë. Kjo ngjarje është duke u hetuar nga policia dhe mjekësia ligjore në analizimin e fakteve e rrethanave të kësaj vdekje”.