Qeveria e Spanjës ka njoftuar se do të ketë lehtësim të masave për parandalim të përhapjes së pandemisë së koronavirusit.
Pritet që lojtarët e skuadrave të La Ligas të kthehen në stërvitje prej 4 majit, ndërsa ndeshjet mund të nisin prej 5 qershorit.
Kryeministri Pedro Sanchez ka mbajtur një konferencë të martën mbrëma, në të cilën ka folur për “planin për lëvizje drejt normalitetit të ri”.
Ai ka cekur se lehtësimi i masave do të jetë gradual, asimetrik sa i takon regjioneve dhe i koordinuar. Kjo sipas kryeministrit spanjoll nënkupton se regjionet me më pak raste do të kthehen në normalitet më shpejtë.
Deri më tani në Spanjë janë raportuar mbi 23 mijë të vdekur nga Covid – 19.
Lojtarët në Spanjë pritet të lejohen të ushtrojnë prej 4 majit në qendrat e tyre, por duke mbajtur distancën sociale. Pritet që prej 18 majit të lejohen ushtrimet në grupe prej gjashtë lojtarëve, ndërsa prej 25 majit plani është që grupet të rriten në tetë lojtarë.
Pritshmëritë janë që skuadrat të ushtrojnë me përbërje të plotë prej 1 qershorit, ndërsa ndeshjet pa shikues mund të fillojnë më 5 qershor, apo më së largu më 12 qershor.
“Në fund të qershorit si vend do të jemi në normalitetin e ri, nëse zhvillimi i epidemisë është nën kontroll në gjithë vendin”, ka thënë kryeministri spanjoll.