Connect with us

Albania

La Tribune Juive (1935)/ Në kërkim të hebrenjve nëpër Shqipëri, detaje të rralla

Published

on

“La Tribune Juive” ka botuar, me 29 nëntor 1935, në faqen n°845 të numrit të saj 48, rrëfimin e udhëtimit të gazetarit Max Loeb në Shqipëri, asokohe në kërkim të gjurmëve të komunitetit hebre, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 Një mbretëri me 50 hebrenj !

Shqipëria, një vend i harruar në Evropë

Raporti i udhëtimit të Max Loeb

Tiranë (Shqipëri), vjeshtë 1935.

“Ne nuk kemi antisemitizëm. Ne nuk kemi hebrenj!”

Pasi zbarkova në portin qendror shqiptar të Durrësit, mora këtë përgjigje të vogël ngushëlluese për pyetjet e mia për situatën e hebrenjve shqiptarë. Udhëtimet e gjata me kalë, në këmbë, me makinë e motoçikletë, nëpër të gjitha zonat e vendit të gjerë, që të çonin larg në Alpet veriore shqiptare pothuajse të pashkelura, të pakalueshme, dhanë mundësinë për të verifikuar këtë pohim. Në fakt : në të gjithë Shqipërinë veriore jeton vetëm një familje hebreje. Dhe kjo familje ndodhet në Shkodër, qyteti port në kufirin jugosllav, e cila emigroi nga Janina (Greqi) vetëm pak vite më parë.

Njëherë e një kohë kishte komunitete të lulëzuara !

Nuk duhej të dukej gjithmonë kështu në këto zona të gjera. Një sagë, e diskutueshme, por e thënë me një shkëlqim të vërtetë…

Gjatë sundimit venedikas, disa mijëra hebrenj jetonin në qytetin e Elbasanit, afërsisht në mes të Shqipërisë. Disa vite më parë, ambasadori amerikan në Tiranë, hebreu Bernstein, u përpoq të ndiqte këtë shteg, por pa sukses.

Pas një udhëtimi të mrekullueshëm me makinë në një rrugë të bukur, jashtëzakonisht romantike mbi një mur të lartë malor, i cili gjendet mes kryeqytetit Tiranë dhe Elbasanit, vijmë në qytetin, i cili thuhet se dikur kishte strehuar mijëra bashkëfetarë. Një ndjenjë e çuditshme më zvarritet në këtë qytet më të vjetër të vendit, në pazarin e gjallë e plot ngjyra. Me përjashtim të disa ndërtesave të varfra, gjithçka i ngjan Orientit më të zi. Kalojmë rrugicat, mes mureve prej argjili më të gjatë se njeriu, që shënojnë rrugën si palisada, që nuk na lënë të shohim nëpër shtëpi. Mendoj se po kthehem ngadalë në mesjetë. A mund të zgjasë mrekullia? Asnjë shenjë e kohëve tona moderne nuk shihet në mes të një kaosi njerëzish me veshje malësorësh, të gjithë të armatosur me musketa të gjata paradiluviane. Disa gra në mes : të gjitha janë të mbuluara pothuajse krejtësisht.

Papritur një fytyrë më bie në sy, me tipare të fytyrës së pagabueshme hebreje. Për fat njeriu kupton italisht. Ai tregon me dëshirë për vizitat e ambasadorit Bernstein, të cilit ai nuk mund t’i tregonte më shumë se unë.

Ne ngjitemi në një ndërtesë gjysmë të rrënuar. Tre gomerë të vegjël janë rehatuar në pjesën më të madhe. Një pjesë e çuditshme e mbushur me dritë të zbehtë. Një hapsirë në çati lë vetëm mbetjet e pakta të rrezeve të diellit. Shoqëruesi im tregon në heshtje një objekt të errët në një cep, një llambadar të thyer. Më pas shqiptari më jep një palë shkallë me të cilat ngjitemi në tavan. Ia vlen përpjekja: mund të deshifroj disa shkronja hebraike.

Një stallë gomerësh është ish-sinagoga e Elbasanit.

Thuhet se hebrenjtë kanë ardhur në vend me venedikasit. Ata vendosën marrëdhënie tregtare me Greqinë dhe shtetet ballkanike. Burra të guximshëm hynë edhe në malet e ashpra të Prefekturës së Dibrës së sotme, të cilat nuk ishin ende të rehatshme në atë kohë. Ligji i grushtit dhe hakmarrja e gjakut e ktheu vendin në ferr. Fisnikët ishin gjithmonë në grindje. Fshatra të tëra u therën për hir të gjakmarrjes.

Njëherë e një kohë – sipas gojëdhënave – njerëzit e një drejtuesi bande dibrane sulmuan beun e Elbasanit. Në betejë, përveç banorëve të tjerë, ranë edhe hebrenjtë. Ata pak të mbijetuar u masakruan me supozimin se hebrenjtë kishin qenë të lidhur me sulmuesit. A janë të vërteta këto legjenda? Mungojnë dëshmitë historike. Por hap pas hapi ndeshesh me njerëz me fizionomi hebreje. Ata duan t’ia atribuojnë këtë faktit se hebrenjtë u detyruan të konvertohen në fenë islame.

Sërish me bashkëfetarët

Një ditë në rrugën e fshatit shqiptar në një autobus të mbushur me njerëz është një kënaqësi që mund të çojë në dëshpërim një evropiano-qendror. Por në fund të fundit, makina është i vetmi mjet transporti krahas kuajve, mushkave dhe avionëve. Vend i çuditshëm që kapërcen 300 vjet zhvillim! Çdo ditë ka mbrëmjen e saj dhe ajo mbrëmje më bënte të ndjeja detin edhe pse isha në tokë! – në Vlorë, e njohur si qendër tregtare dhe si shtëpia e komunitetit “më të madh” hebre në vend.

Është e premte. Dita kryesore e punës. Blerësit vendas janë grumbulluar tufë nga malet për të plotësuar nevojat e tyre. Pikërisht atëherë vura re se disa dyqane prestigjioze po mbyllnin qepenat në mes të rrëmujës. Një tabelë dyqani me emrin: “Raphael …” bie në pamje. Hebrenj!

Pesë familjet hebreje të qytetit kanë mjaft anëtarë meshkuj për të bërë një “Minian”. Në një shtëpi private, një dhomë shndërrohet në sinagogë. Burrat mblidhen aty për të falur Shabatin. Të çuditshme meloditë e ritit sefardik, pothuajse po aq monotone sa muzika shqiptare, por po aq tmerrësisht magjepsëse dhe tërheqëse.

Dikur, shabatët ishin festa të vërteta popullore këtu. Në qytet jetonin mbi 100 familje. Ata kishin emigruar nga Greqia dhe Azia e Vogël dhe shpejt arritën një prosperitet të konsiderueshëm. Për shumë dekada komuniteti jetoi në paqe. Derisa djali i një beu (konti) të fuqishëm ra në dashuri me vajzën e një tregtari hebre. Prindërit e vajzës nuk e donin këtë lidhje. Shqiptari e përsëriti kërkesën e tij për një kohë të gjatë para se të zhdukej përfundimisht i tërbuar.

Hebrenjtë me të drejtë prisnin më të keqen. U mblodh kapela(këshilli) e pleqve dhe vendosi të ikte menjëherë!

Me një unanimitet të rrallë, vendimi u miratua nga të gjithë. Dy anije morën të gjithë koloninë hebreje. Duke lënë pas shtëpitë dhe pasuritë, njerëzit u larguan. Por hebrenjtë nuk kishin harruar një gjë, rrotullat e Torës! Një legjendë e bukur thotë se pergamenat, të harruara me nxitim, i çuan dy engjëj në Janinë, një qytet në Greqi, ku rrotullat shihen edhe sot. Janë copa të vjetra, të zverdhura, jashtëzakonisht me vlerë, të cilat – sipas shkencëtarëve autoritarë – nuk mund të jenë aq të vjetra sa të kenë ekzistuar në kohën kur duhet të ketë ndodhur arratisja nga Vlora.

Para disa vitesh u shemb një shtëpi në Vlorë, e cila deri në atë ditë quhej sinagogë nga populli.

Zyrtarët e lartë thonë “Auguri”

Sot, hebrenjtë shqiptarë gëzojnë një vlerësim universal. Nuk guxova t’u besoja syve kur gjatë festës së Pashkëve u shfaq prefekti, zyrtari më i lartë i prefekturës dhe deputeti i mbretit për rrethin, i shoqëruar nga dy adjutantë, dy oficerë policie dhe një grup i fortë ushtarësh, për të uruar mikpritësin tim, një tregtar i pasur, më i miri për të përcjellë urimet më të mira për festën, “auguri” – siç thonë atje.

Hebrenjtë nuk janë të përjashtuar nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak. Dhe hebrenjtë e rinj shqiptarë dinë të vlerësojnë që u lejohet t’i shërbejnë atdheut të tyre. Djali i shtëpisë në të cilën më pritën me bujari, sapo ishte kthyer nga akademia ushtarake në Tiranë me një kualifikim të lartë si aspirant oficer.

Continue Reading
Advertisement

Albania

Të punësuarve me pagë bruto mbi 176 mijë lekë iu “ulet paga”, deri me 950 lekë, nga 1 janari

Published

on

By

Rritja e pagës minimale nga 40 mijë në 50 mijë lekë, e cila hyri në fuqi më 1 janar 2026, shoqërohet gjithashtu me një efekt të drejtpërdrejtë negativ për të gjithë të punësuarit me paga bruto mbi 176 mijë lekë në muaj.

Ndryshe nga perceptimi i përgjithshëm se rritja e pagës minimale prek vetëm shtresat me të ardhura të ulëta, ndryshimi paralel i pagës maksimale për efekt kontributesh nga 176,416 lekë në 186,416 lekë do të përkthehet në një “ulje të pagës neto” për të gjithë ata që paguhen mbi këtë prag.

Konkretisht, nga janari 2026, çdo i punësuar me pagë bruto të paktën 186,416 lekë do të paguajë më shumë kontribute të sigurimeve shoqërore, pa përfituar asnjë rritje reale në pagën bruto.

Aktualisht, për kufirin maksimal prej 176,416 lekësh, punonjësi paguan 9.5% sigurime shoqërore, ose rreth 16,760 lekë të mbajtura nga paga mujore. Me rritjen e tavanit të kontributeve, kjo shumë do të rritet në rreth 17,709 lekë në muaj, duke sjellë një kosto shtesë prej afro 950 lekësh çdo muaj për secilin të punësuar në këtë nivel dhe mbi të.

Në terma praktikë, kjo do të thotë se, edhe pse paga bruto mbetet e pandryshuar, paga neto do të ulet që nga janari, për shkak të kontributeve më të larta. Efekti është i njëjtë si për punonjësit ashtu edhe për punëdhënësit, të cilët do të paguajnë gjithashtu më shumë për pjesën e tyre të kontributeve, duke rritur koston totale të punës.

Sipas relacionit të projektbuxhetit dhe të dhënave të administratës tatimore, kjo politikë do të sjellë rreth 9 miliardë lekë të ardhura shtesë për arkën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, ku 7.6 miliardë lekë pritet të vijnë nga sigurimet shoqërore dhe 1.4 miliardë lekë nga sigurimet shëndetësore.

Për vitin 2026, të ardhurat totale nga kontributet janë programuar të arrijnë në 197 miliardë lekë, ose 11.4% më shumë se pritshmëritë për vitin 2025.

Megjithatë, për mijëra të punësuar me paga mbi 176 mijë lekë, ky ndryshim nuk përkthehet në përmirësim të të ardhurave, por në një ulje të drejtpërdrejtë të pagës neto.

Në këtë këndvështrim, rritja e pagës minimale shndërrohet në një barrë shtesë fiskale për një segment të konsiderueshëm të forcës së punës, duke rritur koston e punës për bizneset dhe duke reduktuar të ardhurat mujore reale të punonjësve me paga mesatare dhe të larta, që nga muaji janar 2026.

Ekofin.al

Continue Reading

Albania

Emigrantët duan të ndihmojnë vendin, por institucionet nuk i përfillin

Published

on

By

Teksa emigracioni po masivizohet vit pas viti dhe shumica e shqiptarëve, pjesa më produktive jetojnë jashtë vendit me 2.2 milionë banorë sipas të dhënave të fundit nga Anketa e Emigracionit, në anën tjetër qeveria dhe institucionet kanë dështuar për të zbatuar programin dhe strategjitë për emigrantët.

Një pjesë e emigrantëve që jetojnë prej dy dekadash jashtë vendit duan të kontribuojnë sidomos në zonat kur kanë lindur, por ato përballen me pengesa dhe mospërfillje institucionale.

Anëtarët e diasporës shqiptare të intervistuar nga INSTAT janë të angazhuar në mënyrë aktive në një gamë të gjerë iniciativash që kontribuojnë në zhvillimin kulturor, akademik, ekonomik dhe institucional të vendit në vendet ku jetojnë. Rreth një në pesë anëtarë të diasporës është aktiv në organizata dhe shoqata të diasporës, kryesisht në funksion të promovimit të identitetit shqiptar jashtë vendit, përmes shkollave të gjuhës, aktiviteteve kulturore dhe ngjarjeve komunitare.

Megjithatë sipas anketës angazhimi i diasporës në vendin tonë kufizohet nga një sërë sfidash. Diskutimet me anëtarë dhe organizata të ndryshme të diasporës gjatë anketës së INSTAT nxjerrin në pah pengesa institucionale, duke përfshirë aktivitetin e kufizuar të institucioneve kyçe si Agjencia Kombëtare e Diasporës dhe Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës, si edhe vështirësi në koordinimin ndërministror.

Emigrantët vënë në dukje mungesën e një data-baze të centralizuar të diasporës, teksa ka fushata të kufizuara informimi dhe komunikimi për angazhimin e diasporës.

Sipas anketës mungojnë mekanizmat e strukturuar që profesionistët e diasporës të kontribuojnë në zhvillimin e Shqipërisë, duke mbetur shpesh vetëm në iniciativa.

“Ka mungesë besimi ndaj institucioneve shqiptare dhe shqetësime për burokracinë e tepruar, veçanërisht mes profesionistëve. Ka shqetësime për klimën e biznesit, boshllëqe në kuadrin ligjor për mbështetjen e investitorëve nga diaspora dhe mungesën e fondeve të dedikuara për kanalizimin e investimeve. Ka nisur shkëputja kulturore në rritje te brezat e dytë dhe të tretë të diasporës që asimilohen jashtë vendit, duke sjellë dobësimin e lidhjeve me trashëgiminë shqiptare” vë në dukje anketa.

Në aspektin ekonomik, anëtarët e diasporës po shohin gjithnjë e më shumë përtej remitancave tradicionale, drejt formave më strategjike të investimit, përfshirë pasuritë e paluajtshme, turizmin dhe sipërmarrjet teknologjike.  MIrëpo qeveria shqiptare nuk po mundet të përthithë kapitalin human dhe atë financiar të diasporës, duke ulur përfitimet e vendit nga ky potencial i madh.

Monitor

Continue Reading

Albania

Emigrimi i shqiptarëve drejt SHBA-së, ICE: Mos t’ju shkojë mendja të hyni ilegalisht

Published

on

By

Ëndrra e shumë shqiptarëve për t’u futur e jetuar në ShBA po vështirësohet gjithnjë e më shumë. Edhe ata të cilët kanë mundur ta prekin Amerikën e janë atje pa leje qëndrimi, po përballen me dëbime.

Pothuajse çdo javë ka shqiptarë të cilët deportohen pasi janë kapur nga ICE, skuadra amerikane e emigracionit dhe doganave e hedhur në veprim pasi Donaland Trump i shpalli luftë ilegalëve në ShBA.

“Top Channel”, përmes postës elektronike, pyeti ICE-në sa është numri shqiptarëve pa të drejtë qëndrimi në ShBA të ndaluar, përfshi numrin e të dëbuarve drejt Shqipërisë gjatë 2025.

Një zëdhënës i ICE nuk dha detaje përmes shifrave, por deklaroi se: “Nëse ju po e konsideroni të hyni ilegalisht në Amerikë, mos e çoni në mendje një gjë të tillë. Nëse vini këtu në kundërshtim me ligjet tona, ju me gjasë do të përballeni me ligjin dhe ne do t’ju dëbojmë. Ju kurrë nuk do të mundeni të riktheheni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përsëri”.

Top Channel nga burime diplomatike ka mësuar se Ambasada e ShBA-së në Tiranë ka ndihmuar në ngritjen e njësie të posaçme brenda Policisë së Shtetit dedikuar luftës me trafikun e shqiptarëve drejt ShBA.

Të njëjtat burime treguan se kjo njësi sipas një protokolli standard, interviston të gjithë shqiptarët e dëbuar nga ShBA për të mësuar si ata mundën të hynë ilegalisht. Kjo konsiderohet si mbledhje inteligjence me qëllim identifikimin e rrugëve dhe metodave të trafikut. Trafiku i shqiptarëve drejt ShBA vijon përmes linjës klasike të të shkuarit në Meksikë duke pritur disa javë deri në momentin kur trafikantët krijojnë kushtet për kalim.

Një tjetër metodë është përdorimi pasaportave evropiane të falsifikuara. Nëse për shumë vite rruga e Kavajës mbretëronte në prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, shkëlqimi i asaj kohë është shuar.

Kjo njësi brenda Policisë së Shtetit, nga intervistimet e të dëbuarve nga ShBA, ka mundur të identifikojë Kosovën si vend prodhues të pasaportave të falsifikuara, madje me një cilësi të lartë si pasojë e përdorimit të kompjuterëve dhe printerëve super-modernë.

Megjithatë, nuk mungojnë tentativat brenda Shqipërisë në prodhimin e të tilla pasaportave siç ishte rasti më i fundit në Tiranë kur para 5 muajsh, babë e bir u prangosën për këtë aktivitet kriminal. Sipas hetimeve, pasaportat e falsifikuara shiteshin nga 15 000 deri në 20 000 euro dhe përdoreshin për të kaluar ilegalisht drejt vendeve të BE-së edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /TCH

Continue Reading
LIVE ALBUK TV
ALBUK TV LIVE
Albania5 hours ago

Të punësuarve me pagë bruto mbi 176 mijë lekë iu “ulet paga”, deri me 950 lekë, nga 1 janari

Albania5 hours ago

Emigrantët duan të ndihmojnë vendin, por institucionet nuk i përfillin

Maqedonia7 hours ago

Doganat e Maqedonisë në vitin 2025 arkëtuan 2.14 miliardë euro

Albania8 hours ago

Emigrimi i shqiptarëve drejt SHBA-së, ICE: Mos t’ju shkojë mendja të hyni ilegalisht

Kina9 hours ago

BYD i Kinës tejkalon Teslën si shitësi më i madh i automjeteve elektrike në botë

Bota9 hours ago

Përleshjet në Jemen i sjellin në konfrontim forcat e mbështetura nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe

Bota10 hours ago

Trump paralajmëron se SHBA-të do të ndërhyjnë nëse Irani vret protestuesit

Shendetesi10 hours ago

Çfarë i ndodh saktësisht trupit pas një viti pa alkool

Albania12 hours ago

Krimi në familje, burri dhunon gruan për vdekje, vetëvritet me pistoletë

Bota12 hours ago

Erdogan: Do të flasë me Trump të hënën për Gazën dhe Ukrainën

Albania12 hours ago

Emrat/ Zbardhet vrasja, shpërthyen me telekomandë boksin elektrik ku humbi jetën Hysni Ymeri, 4 të arrestuar në Shkodër

Bota12 hours ago

Gjendet e pajetë në hotel vajza e aktorit të famshëm hollivudian

UK22 hours ago

Kalimet vjetore të migrantëve përmes Kanalit, më të lartat që nga viti 2022

UK22 hours ago

Faqet e para të gazetave në UK

Bota22 hours ago

Përleshje vdekjeprurëse midis protestuesve dhe forcave të sigurisë, ndërsa trazirat në Iran shtohen

Albania2 days ago

“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë

UK5 days ago

FOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli

Albania5 days ago

U kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri

Albania6 days ago

Shqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”

UK2 days ago

Vizitorët, tarifë për të hyrë në Britani – Shtetasit që udhëtojnë pa viza duhet të aplikojnë për autorizim

UK6 days ago

Rrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër

Sports5 days ago

Ish-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën

UK3 days ago

Bllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë

Albania5 days ago

Hetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë

Albania3 days ago

Ironia e një dosje sekrete në Harvard: Amerikanë mbroni Trashëgiminë Ilire, Shqiptarët pas ’90-s e shkatërruan …

UK4 days ago

Bashkimi me euron do të kishte mbuluar koston e NHS-së

Bota4 days ago

Mijëra vetë të ekspozuar ndaj fruthit, alarm në një prej aeroporteve më të ngarkuar në botë

UK4 days ago

Britania marrëveshje me Angolën dhe Namibinë për kthimin e emigrantëve

Albania4 days ago

Emigrantët kthehen, por Shqipëria nuk i mban

Bota5 days ago

Brigitte Bardot: Bjondia seksi që revolucionarizoi kinemanë franceze

Trending