Partia Laburiste e Britanisë, e cila në sondazhe ka dukshëm më së shumti përkrahje para zgjedhjeve të 4 korrikut, është zotuar për njohjen e një shteti palestinez si kontribut për një proces të përtërirë të paqes.
“Shtetësia palestineze është e drejta e patjetërsueshme e popullit palestinez” – thuhet në manifestin e laburistëve, ku përfshihen politikat që do të zbatoheshin në rast të ardhjes në pushtet, raporton gazeta “The Times of Israel”.
“Ne jemi të përkushtuar ndaj njohjes së një shteti palestinez si një kontribut për një proces të përtërirë të paqes që rezulton në një zgjidhje me dy shtete me një Izrael të sigurt krahas një shteti sovran dhe funksional palestinez” – thuhet më tej në manifestin e partisë opozitare që pritet t’i fitojë zgjedhjet në njërin prej shteteve perëndimore me ndikimin më të madh.
Qeveria e tanishme britanike, e udhëhequr nga konservatorët, më parë ka thënë se Britania do të mund të njihte zyrtarisht një shtet palestinez para përfundimit të një procesi të paqes dhe se palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës duhet t’u jepet “perspektiva politike e një rruge të besueshme drejt një shteti palestinez dhe një të ardhmeje të re”.
Muajin e kaluar, Spanja, Irlanda dhe Norvegjia zyrtarisht njohën një shtet palestinez, duke e nxitur reagimin me zemërim nga Izraeli, i cili tha se ky vendim shërben si shpërblim për sulmet e Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar.