Kombëtarja e Shqipërisë vijon me përgatitjet për ndeshjen e parë të grupit në “Euro 2024” ndaj Italisë, me kuqezinjtë që kanë zhvilluar disa seanca stërvitore në kampin bazë në Kaiserau.
Skuadra kuqezi ka punuar për më shumë se një e orë e 30 minuta mes palestrës dhe fushës, me grupin që ka punuar i plotë dhe deri tani nuk ka probleme fizike për asnjë lojtar.
Para gazetarëve u paraqit Qazim Laçi, i cili foli për sfidën e parë të Kampionatit Evropian të futbollit, ndaj Italisë, ku së bashku me grupin synojnë të marrin pikët maksimale.
“Do të jetë një përballje shumë e vështirë. Që kur mësuam shortin e dinim që ndeshja me Italinë do të jetë shumë e rëndësishme.
Siç e thash edhe më para, të gjithë lojtarët po japin maksimumin, janë shumë shumë të fokusuar, shumë të motivuar dhe duhet të luftojmë deri në fund për të marrrë maksimumin e pikëve…Ndeshja e parë gjithmonë është pak më e vështira, për çdo ekip.
Ne kemi arritur deri këtu me shumë meritë. Kemi zhvilluar sfida të mëdha, në kualifikuese dhe do të vazhdojmë me punën e mirë, siç kemi bërë në stërvitje ashtu do të bëjmë edhe në fushën e blertë për të siguruar maksimumin e pikëve.…..
Kemi një konkurrencë shumë pozitive brenda grupit, sepse të gjithë lojtarët jemi të barabartë. Në çdo pozicion ka shumë garë dhe të gjithë lojtarët po japim maksimumin për ta çuar Kombëtaren sa më lart…” tha mes tjerash Qazim Laçi.
Kujtojmë se Shqipëria përballjen e parë do të zhvillojë më 15 qershor, kundër Italisë.