I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, tha se janë gati tri-katër marrëveshje ndërmjet dy palëve dhe se pret që ato të finalizohen së shpejti.
Gjatë Forumit të 15-të në Dubrovnik, ai vlerësoi të dyja palët për takimet mujore në nivel të negociatorëve kryesorë dhe shtoi se ekziston marrëveshja që takimet të zhvillohen në nivelin më të lartë [Kurti-Vuçiq].
Siç transmeton “N1”, Lajçak vlerësoi gjithashtu se procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është procesi më strategjik në rajon.
Sipas tij, dy çështje urgjente janë fillimi i negociatave për pranimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian si dhe liberalizimi i vizave për Kosovën.
Sipas tij, ka ardhur koha që Bashkimi Evropian të rikthejë besueshmërinë e zgjerimit dhe partnerët të bëjnë seriozisht punën e tyre në reforma.
Lajçak tha se BE duhet të përfundojë punën e papërfunduar kur bëhet fjalë për integrimin e Ballkanit Perëndimor.
Në një tekst në Tëitter, nga Forumi i Dubrovnikut, Lajçak tha se lufta në Ukrainë ndryshoi gjithçka dhe e ktheu zgjerimin e BE-së në një çështje politike.
“Ne ishim të vetëkënaqur për një kohë të gjatë. Kjo nuk mund të vazhdojë më. Ne duhet të përfundojmë punën tonë të papërfunduar kur bëhet fjalë për integrimin e Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar ai.
Në Forum po merr pjesë edhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla. /