I dërguari i BE’së në dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajcak ka folur para mediave pas vizitës tre ditore që pati në Kosovë.
Lajcak tha se vendet e BE’së e kanë dërguar një sinjal të fuqishëm për angazhimin në dialog, duke e mandatuar atë në krye të këtij procesi.
“27 vendet e BE’së dërguan një sinjal të fuqishëm për angazhimin ndaj Kosovës duke më mandatuar mua në këtë detyrë. Gjithmonë kur bëj diçka përpiqem ta bëj 100%, jam i gatshëm dhe i respektuar të angazhohem për rifillimin e dialogut pa vonesa, e të ju ndihmoj palëve të punojnë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse e që do të zgjidhë të gjitha çështjet e pazgjidhura”, ka thënë ai.
I njëjti shton se në Kosovë ka pasur takime konstruktive dhe të dobishme me liderët e vendit, derisa, ka bërë thirrje që Kosova të jetë e bashkuar në dialog.
“Gjatë tre ditëve kam pasur takime shumë konstruktive dhe të dobishme me liderët e vendit. Në takimet e mia kam theksuar se Kosova duhet të jetë e bashkuar në dialog, e që dialogu duhet të vendoset mbi politikën, ashtu si duhet të vendoset integrimi evropian. Jam shumë i lumtur të shoh që dialogu nga BE’ja është prioritet për Qeverinë, jam i kënaqur me seriozitetin dhe gatishmërinë e bashkëbiseduesve. Beogradin do të vizitojë javën e ardhshme. Planifikoj që këto tema ti diskutoj edhe me presidentit Vuçiq, e pastaj të shpallim edhe datën. Dialogu i lehtësuar nga BE’ja ka sjellë shumë lehtësime. Po largohem nga Kosova me një siguri se tani janë krijuar kushtet që kjo të ndodhë”, ka shtuar ai.
I dërguari i BE’së, thotë se rruga e Kosovës drejt BE’së shkon përmes dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Ai shton se ftesa për takim Kosovë – Serbi, palëve nga BE’ja do t’i dërgohet pas vizitës që Lajcak do ta ketë në Beograd.
“Kosova është pjesë e Evropës, problemet tuaja janë tonat, sukseset tona janë suksesi ynë. E ardhmja juaj është evropiane. Rruga e Kosovës drejt BE’së shkon përmes këtij dialogu dhe kjo është theksuar në mënyrë eksplicite në rezolutën e vitit 2010. Informova për planet dhe procesin që kemi para nesh edhe kryeministrin edhe presidentin, nuk u dhamë kurrfarë ftese, po ne do të dërgojmë ftesën pas vizitës time në Beograd. Nuk jam këtu që t’i zgjedh partnerët, e respektoj faktin që kryeministri do të udhëheq negociatat, dhe këtë e kemi diskutuar me kryeministrin,. Nuk dua të flas për data para vizitës në Beograd”, shtoi ai, duke mos komentuar takimin e 27 qershorit.
“Ne nuk jemi konsultuar për këtë, nuk dua të komentoj iniciativat e të tjerëve. Për ne SHBA është një partner i rëndësishëm dhe historia ka treguar se kur kemi punuar së bashku kemi pasur suksese. Po e thash edhe më herët Kosova është në Evropë dhe askush tjetër nuk mund të ofrojë të ardhme evropiane pos BE’së.
Ne komunikojmë me partnerët tanë në SHBA për inciaitivat tona dhe presim që edhe ata do ta bëjnë të njejtën gjë”, tha Lajcak.

