Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se ka pasur një diskutim të gjatë dhe të vështirë – por të drejtë – me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Unë llogaris në sjelljen e përgjegjshme të të gjithëve për të treguar përmbajtje për sigurinë dhe stabilitetin. Dhuna duhet shmangur. U pajtuam që të gjitha marrëveshjet e dialogut duhet të zbatohen plotësisht”, ka shkruar Lajçak në Twitter, përcjell Telegrafi.
Deklarata e tij vjen në ditën kur në veri të Kosovës, më 5 nëntor, do të takohen përfaqësuesit serbë në institucionet e Kosovës.
Në të njëjtën ditë në Beograd do të mbahet mbledhja e Qeverisë serbe, për siç është paralajmëruar, situatën në Kosovë.
Në këtë mbledhje do të jetë i pranishëm edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, shkruan rel.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka paralajmëruar se në takimin e 5 nëntorit do të sugjerojë që serbët të largohen nga institucionet e Kosovës.
Ky njoftim erdhi pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia.
Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor të zbatojë planin e saj në tri faza për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.