Ndërkohë që në Mbretërinë e Bashkuar i jepet sot lamtumira e fundit Mbretëreshës Elizabeth II, në Kukës, është zbuluar busti i monarkes britanike.
Busti është vendosur para Pallatit të Kulturës, për të shprehur vlerësimin e qytetarëve kuksianë për Mbretëreshën, e cila qëndroi për 70 vite në fronin e Britanisë së Madhe. Mësohet se busti është ndërtuar falë kontributit të emigrantëve kuksianë në Angli.
Megjithatë, disa minuta pasi busti u vendos aty ai u hoq nga autoritetet, të cilat thonë se nuk kanë informacion se kush e ka vendosur.
Disa javë më parë, kur Elizabeth II ishte ende gjallë, bashkia e këtij qyteti kishte shprehur dëshirën për të ngritur gjithashtu një bust të Mbretëreshës në qendër të qytetit, duke qenë se shumica e emigrantëve nga këto zona kanë zgjedhur pikërisht Mbretërinë e Bashkuar si vend për të jetuar e punuar. Por për ta bërë këtë duhet një leje e posaçme nga familja mbretërore.