Kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti tha se zhvillimet në veri të vendit nuk kanë të bëjnë me targat por me një betejë personale mes presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç, për pushtet.
“Është e qartë se për çfarë bëhet fjalë: presidenti i Serbisë ka gënjyer dhe ka zhgënjyer amerikanët dhe evropianët; ai shumë shpesh takon dhe koordinohet me ambasadorin rus në Beograd. Serbia duke mos qenë vend demokratik po bëhet vegël e Kremlinit. Po ashtu, duket që ish-zëdhënësi i partisë së Millosheviçit, tash ministër i jashtëm i Serbisë, është më i pushtetshëm sesa ish-ministri i informatave të Millosheviçit, tash presidenti i Serbisë. Kjo është betejë personale e tyre për pushtet, as për qytetarët dhe as për shtet”, shkroi Kurti.
Kreu i ekzekutivit kërkoi nga qytetarët në veri që të ruajnë qetësinë, paqen dhe sigurinë pasi ai nuk është kryeministër kundër serbëve të Kosovës, duke kërkuar që të mos braktisin institucionet e Republikës së Kosovës.
“Mos i bojkotoni ose braktisni institucionet e Kosovës. Ato na shërbejnë të gjithë neve, çdonjërit prej jush. Mos bini pre e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike. Le t’i përmbahemi të gjithë bashkë vlerave demokratike dhe evropiane të sundimit të ligjit, të të drejtave dhe lirive të njeriut e të pakicave, pluralizmit politik”, shkroi Kurti.