Një përkthyes afgan, i cili kishte dhënë ndihmë për ta shpëtuar politikanin që në atë kohë ishte senator, tash president, Joe Biden, nga një terren i vështirë në Afganistan, ka arritur të largohet nga vendi bashkë me familjen e tij.
Më 2008, një stuhi dëbore kishte detyruar një helikopter ushtarak, në të cilin ndodheshin Bideni dhe ligjvënës të tjerë amerikanë, që të aterronte në një ultësirë me borë, ku rrezikoheshin nga sulmet.
Aman Khalili ishte në mesin e punëtorëve afganë të qeverisë amerikane që e kishte çuar grupin në një vend të sigurt, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Që nga muaji gusht, ai ka bërë thirrje për ndihmë që t’i tejkalojë problemet me viza në mënyrë që të largohet nga Afganistani.
Të hënën, një përfaqësues i Departamentit të Shtetit i tha televizionit BBC se Khalili dhe familja e tij janë larguar në mënyrë të sigurt nga Afganistani dhe u është organizuar udhëtimi i mëtejshëm nga Pakistani.
Pas tërheqjes kaotike të trupave amerikane nga Afganistani këtë verë, Kahlili i bëri thirrje presidentit amerikan që ta shpëtonte atë bashkë me bashkëshorten dhe pesë fëmijët. “I besoj atij. Besoj që ai mund të bëjë gjithçka”, i kishte thënë përkthyesi televizionit amerikan, CNN.