Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha të shtunën se plani i propozuar për paqen në Ukrainë, si dhe propozimet e fundit të OKB-së për të ringjallur marrëveshjen e Detit të Zi për grurin, të ishin të dyja “jo realiste”.
Lavrov foli pas një jave diplomacie intensive globale gjatë mbledhjes vjetore të udhëheqësve botërore në selinë e OKB-së në Nju Jork, ku Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë kërkuan të përforcojnë mbështetjen për Kievin ndërsa lufton agresorin rus.
“Kjo është tërësisht e pamundur”, tha Lavrov lidhur me një plan paqeje prej 10 pikash të propozuar nga Kievi.
“Nuk është e mundur të zbatohet kjo. Nuk është realiste dhe të gjithë e kuptojnë këtë, por në të njëjtën kohë, ata thonë se kjo është baza e vetme për negociata”.
Ai tha se konflikti do të zgjidhej në fushën e betejës nëse Kievi dhe Perëndimi do të mbanin atë qëndrim. Lavrov shtoi se Moska u largua nga marrëveshja e grurit sepse nuk ishin realizuar premtimet e bëra Rusisë, mes tyre heqja e sanksioneve ndaj një banke ruse dhe rilidhjen e saj me sistemin global SWIFT.
Ai tha se propozimet e fundit të Kombeve të Bashkuara për të ringjallur marrëveshjen e eksportit për produktet bujqësore ukrainase ishin “thjesht jo realiste”.
Lavrov tha se do të vizitojë Phenianin muajin e ardhshëm për të vazhduar negociatat pas marrëveshjeve të fundit të bëra nga Presidenti rus Vladimir Putin dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un në Moskë.
Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, promovoi shumë planin e tij të paqes prej 10 pikash. Këtë plan, Zelenski e ka diskutuar edhe me presidentin amerikan, Baiden. Ai u bëri thirrje liderëve botërorë që të mbajnë një samit të paqes globale, bazuar në planin e tij.
Plani 10-pikësh i Zelenskit
Zelenski fillimisht njoftoi për formulën e tij për paqe në muajin nëntor, gjatë samitit të 20 ekonomive më të mëdha të botës.
Plani bën thirrje për:
- Siguri nga rrezatimi dhe armët bërthamore, duke u përqendruar në rivendosjen e sigurisë rreth centralit ukrainas të Zaporizhjës, që është centrali më i madh bërthamor në Evropë, i cili tashmë është i pushtuar nga Rusia.
- Siguri ushqimore, përfshirë mbrojtjen dhe ofrimin e sigurisë për eksportet e drithërave të Ukrainës për në shtetet më të varfra të botës.
- Siguri energjetike, me përqendrim në kufizimet e çmimeve të burimeve të energjisë ruse, por po ashtu edhe të ndihmës për Ukrainën që të riparojë infrastrukturën e energjisë, pasi gjysma e infrastrukturës është dëmtuar nga sulmet ruse.
- Lirim të të gjithë të burgosurve dhe të dëbuarve, përfshirë të burgosurit e luftës dhe fëmijët e dëbuar për në Rusi.
- Rivendosje të integritetit territorial të Ukrainës dhe riafirmimin e Rusisë për këtë gjë në bazë të Kartës së OKB-së. Integriteti territorial, sipas Zelenskit “nuk do të negociohet”.
- Tërheqje të trupave ruse dhe ndërprerje të armiqësive si dhe rivendosjen e kufijve shtetërorë të Ukrainës me Rusinë.
- Drejtësi, përfshirë themelimin e një tribunali special për të ndjekur krimet ruse të luftës.
- Parandalim të ekocidit, nevojë për mbrojtjen e natyrës me përqendrim në heqjen e minave dhe riparimin e ndërtesave për trajtimin e ujërave.
- Parandalim të përshkallëzimit të konfliktit, dhe ndërtim të një arkitekture të sigurisë në hapësirën euroatlantike, përfshirë garanci për Ukrainën.
- Konfirmim për përfundimin e luftës, përfshirë nënshkrimin e një dokumenti nga ana e palëve të përfshira.
Çfarë është propozimi i Zelenskit për samitin për paqe globale
Në dhjetor, Zelenski u bëri thirrje shteteve të Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara që të mbështesin idenë e tij për Samitin për Paqe Globale, që, sipas tij, do të mbahej në dimër dhe do të duhej të përqendrohej në planin e paqes “si tërësi ose në disa pika specifike në veçanti”.
Përgjigja për këtë propozim
Gjatë këtij muaji, Rusia refuzoi propozimin për paqe të Zelenskit dhe Moska përsëriti se nuk do të heqë dorë nga asnjë pjesë e territorit që ka marrë me forcë – rreth një të pestën e Ukrainës – që pretendon se e ka aneksuar.
Zelenski ka prezantuar para liderëve botërorë planin e tij, përfshirë këtu edhe para presidentit amerikan Biden, presidentit francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministrit të Indisë, Narenda Modi, shteti i të cilit do të marrë kryesimin e Presidencës së G20-s.
Mbështetja e botës perëndimore për ushtrinë e Ukrainës arrin në vlerë prej miliarda dollarësh. Uashingtoni ka udhëhequr ndihmën për ushtrinë ukrainase dhe shtetet e tjera po ashtu kanë ndihmuar Kievin për të riparuar infrastrukturën e energjisë.
Por, liderët kanë qenë më të kujdesshëm në përgjigjen ndaj planit të paqes së Zelenskit dhe ndaj samitit të paqes që ka propozuar lideri ukrainas.
Gjatë vizitës së Zelenskit në Uashington më 22 dhjetor, Baiden deklaroi se vetëm ai dhe Zelenski “ndajmë të njëjtin mision” për paqen dhe se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara që të sigurohen që Ukraina mund të mbrojë veten.
Modi, Qeveria e së cilit ende nuk e ka dënuar në mënyrë eksplicite pushtimin rus të Ukrainës, pas prezantimit të planit nga Zelenski, tha se “përsëris fuqishëm” thirrjen për ndërprerjen e menjëhershme të armiqësive dhe mbështetjen e Indisë për çdo përpjekje të paqes.
Ndërkaq, liderët e G7-s thanë se janë të përkushtuar që të sjellin paqe në Ukrainë “në linjë me të drejtat që janë të përfshira në Kartën e Kombeve të Bashkuara”.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se në një afat të shkurtër kohor ka pas shanse që të ketë bisedime të paqes.
“Besoj se konfrontimi ushtarak do të vazhdojë dhe mendoj se ne do të duhet të presim ende për momentin kur negociatat serioze të paqes do të jenë të mundshme”, deklaroi ai gjatë muajit dhjetor.