Lazio ka konfirmuar sulmuesi i vet dhe i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, ka dalë pozitiv në testin për koronavirus.
Muriqi – i cili iu bashkua Lazios nga Fenerbahce javën e kaluar për një shumë që besohet të jetë rreth 20 milionë euro – nuk ka simptoma të virusit dhe është vetizoluar.
Muriqi është vetizoluar në Turqi.
26-vjeçari nga Prizreni e bëri testin për Covid-19 në Turqi, ku ishte kthyer për t’i kompletuar dokumentet e kalimit nga Fenerbahce në Lazio, sipas mediave italiane.
Si pasojë e infektimit me këtë virus dhe për shkak të një lëndimi, Muriqi duhet të presë gjatë për të debutuar në Serie A.
Lazio do ta nisë sezonin e ri në Serie A pas pesë ditëve, më 26 shtator kundër Cagliarit, që nënkupton se prizrenasi duhet të presë për ta bërë debutimin.
Muriqi rrezikon seriozisht t’i mungojë Kosovës edhe në ndeshjet e tetorit, pasi mungoi në ato të shtatorit në Ligën e Kombeve.
Kosova do ta ketë një përballje historike me Maqedoninë e Veriut më 8 tetor, në play-off për ta siguruar pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian 2020 për herë të parë në histori të vet.
Tri ditë më vonë, Kosova do të jetë nikoqire e Sllovenisë në ndeshjen e xhiros së tretë të Ligës së Kombeve.