LDK fiton 5 komuna- Abdixhiku: Prishtina foli e para. Përparim Rama: I gatshëm të bashkëpunoj me të gjithë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka falënderuar qytetarët e Prishtinës që votuan dhe zgjodhën Përparim Ramën si kryetar bashkie edhe për katër vitet e ardhshme.
Duke folur nga sheshi i Prishtinës, Abdixhiku e quajti fitoren, jo vetëm të LDK-së, por të të gjithë qytetarëve.
“Kemi garuar në 9 komuna, sonte kemi fituar 5. Në raundin e parë kemi fituar dy, në disa komuna provohet, angazhohet vjen një kohë dhe në mënyrën më demokratike të ndryshojë qeverisja. Nisur nga Prishtina, vazhduar në Pejë…pra janë fitore thelbësore të LDK, me të cilat duhet të shohim edhe frymën e ardhshme në politikë. Jemi të lumtur që Prishtina ka folur e para. Në Prishtinë kemi pasur mbështetjen e qytetarëve. Mos harroni një fakt, në Prishtinë LDK dhe Përparim janë të parët. Prishtina ka reflektuar e para”, u shpreh Abdixhiku.
Ndërkaq, nga ana e tij Përparim Rama i LDK-së, drejtuesi aktual i Prishtinës shpalli fitoren në kryeqytet teksa falënderoi qytetarët për besimin që i dhanë edhe për një mandat tjetër.
“Jam i gatshëm të bashkëpunoj me të gjithë të cilët i bashkohen vizionit transformues. Projekt i madh që e kemi nisur prej 4 vitesh, dhe tani po e vazhdojmë sërish. Falënderoj nga zemra qytetarët për besimin që më dhanë sërish. I ftoj të gjithë që të na bashkohen dhe të bëjmë një asamble të fortë dhe të fuqishme”, tha Përparim Rama.
