Dy deputetët Lefter Koka e Elena Xhina, kanë firmosur nismën e opozitës parlamentare për reformën e sistemit zgjedhor, ku më të rëndësisshme shihen dy pika, futja e listave të hapura dhe ndalimi i koalicioneve parazgjedhore në Shqipëri.
Ish deputeti i LSI-së Lefet Koka, shkruan se i është përgjigjur interesit të qytetarëve durrsakë.
“Deputetë pa vota dhe parti pa elektorat kemi pasur me bollëk prej 3 dekadash në parlament, që mblidhen si miza pas mjaltit të pushtetit, që i ofrojnë partitë e mëdha. Mendoj se sot më shumë se kurrë është koha që peshoren elektorale si për individët apo partitë, ta përcaktojë populli dhe jo dëshirat dhe marrëveshjet e fshehura të partive të mëdha.”-thotë ish deputeti i LSI.
Adnor Shameti, deputet i PS-së, është po ashtu një ndër firmëtarët e propozimit të firmosur nga Myslym Murrizi e disa deputetë të tjerë të opozitës së re. Ky i fundit u shpreh dje se është pro idesë së listave të hapura dhe do të firmosë propozimin e opozitës së re.
“E kotë ta mohojmë që hapja e listave gëzon suport qytetar! Pavaresisht se edhe une kam bindjen që nuk janë ndonjë recete çudibërese, listat e hapura s’duhet të jenë tabu për maxhorancën. Ata jashtë parlamentit e morën çfarë deshën. Madje shumë më shumë se sa u takonte edhe po të ishin sjellë demokratikisht këto 3 vjet. Këtu s’eshtë puna çfarë do marrin keta brenda parlamentit, po çfare do marrë populli nga ky proçes! Ne nuk duhet të shqetësohemi sa do merziten ata që janë jashtë apo sa do tronditen ata që nuk hyjnë dot me brenda po u shkeputen nga kërthiza e partive të mëdha. Besoj se është shumë e shëndetshme që të ketë hapje listash dhe natyrsh si rrjedhojë të mos ketë më koalicione parazgjedhore. Boll besoj u benë 30 vjet me kryetarë partish pa parti që futen nëpër barqet e partive meme, me koalicione të mbyllura per te mbyllur pastaj ca ministri dhe drejtori! Sikur s’ka më lezet do thoshte gjyshi im”-shkruante Shameti.
Postimi ne facebook i Lefter Kokës:
Sapo kam firmosur nismën e opozitës parlamentare për reformimin e sistemit zgjedhor, me hapjen e listave dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore!
Ndihem i kënaqur që me firmën time i jam përgjigjur pozitivisht qindra qytetarëve durrsakë, të cilët më kanë kontaktuar dhe inkurajuar me telefonata dhe mesazhe , pas prononcimit tim të fundjavës së kaluar në mbështetje të deputetëve Murrizi, Musai, dhe kolegëve të tjerë.
Është absolutisht shumë e qartë, jo vetëm për mua, por për çdo deputet që kanë mbështetjen dhe votën e popullit, se sot qytetarët shqiptarë qartaz kërkojnë në një shumicë partiake, të drejtën legjitime për të shprehur preferencën për deputetët që do i përfaqësojnë.
Deputetë pa vota dhe parti pa elektorat kemi pasur me bollëk prej 3 dekadash në parlament, që mblidhen si miza pas mjaltit të pushtetit, që i ofrojnë partitë e mëdha.
Mendoj se sot më shumë se kurrë është koha që peshoren elektorale si për individët apo partitë, ta përcaktojë populli dhe jo dëshirat dhe marrëveshjet e fshehura të partive të mëdha.
Përsëris dhe theksoj deklaratën time, se marrëveshja e bërë jashtë dyerve të parlamentit për t’i lënë gjërat siç janë, nuk i vlen askujt dhe unë për asnjë moment nuk dakortësoj me të.
Eksperimenti i dështuar i koalicioneve të mullixhinjve për inat të vjehrrës së radhës, nuk duhet ricikluar asesi më tutje në dëm të pastër të demokracisë.
Uroj që edhe kolegët e maxhorancës të dalin hapur në mbështetje të kësaj reforme reale. Nuk dua të besoj, se do i shkojnë deri në fund logjikës së gjetjes së kartonave jeshilë për të votuar dhe hapur rrugën një marrëveshje që nuk sjell asgjë të re.
Sepse as kartonat nuk do t’i gjejnë dot pa u hapur për reformen e kërkuar prej nesh dhe as popullin nuk kanë për ta gjetur dot të gatshëm për të vazhduar të votojë qorrazi listat 100% të mbyllura dhe koalicione si kuti të skaduara sardelesh!
Suksese të gjithëve!