Qeveria ka miratuar lehtësimin e masave kundër COVID-19, ku tashmë e tutje në hyrjet kufitare në Kosovë nuk do të kërkohet certifikata e vaksinimit.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për lehtësimin e masave kundër përhapjes së koronavirusit.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, para kabinetit qeveritar tha se situata epidemiologjike në Kosovë është stabël dhe për këtë arsye propozoi lehtësimin e masave anti-COVID.
Ai nuk bëri të ditur se cilat nga masat do të lehtësohen, por kërkoi nga kabineti që të votojnë pro propozimit të tij. Sipas Latifit, këto masa të propozuara në këtë vendim shërbejnë që situata epidemiologjike të mbahet nën kontroll.
“Ashtu siç potencoi kryeministri, jemi në situatë që të kërkojmë nga Qeveria që t’i lehtësojmë masat që kemi pasur deri tani për COVID-19. Masat e përcaktuara me këtë propozim vendim shërbejnë që situata epidemiologjike të mbahet nën kontroll. Ju ftoj që ta votoni këtë propozim-vendim”, tha ai.
Tashmë e tutje në hyrjet kufitare në Kosovë nuk do të kërkohet certifikata e vaksinimit. Kjo masë mbetet në fuqi brenda Kosovës, pra certifikata e vaksinimit do të kërkohet në hyrjet e qendrave tregtare dhe veprimtarive të gastronomisë.
Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti ka thënë se Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike kanë rekomanduar lehtësimin e masave ekzistuese pasi kanë vlerësuar se situata epidemiologjike në vend është stabile.
“Sipas raportit të fundit të IKSHPK-së situata epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë është stabile me ç’rast rekomandojnë lehtësimin e masave ekzistuese. Ministria e Shëndetësisë ka bashkërenduar vendimmarrjen me palët e interesit të cilat kanë qenë të ndikuara drejtpërdrejtë apo tërthorazi nga pandemia.
Masat dhe afatet kohore të përcaktuara në këtë propozim-vendim shërbejnë që situata epidemiologjike të mbahet nën kontroll, edhe përkundër të dhënave optimiste epidemiologjike”, tha ai në mbledhjen e sotme të qeverisë.
Kurti ka thënë me këtë rast se situata epidemiologjike me koronavirus është e qëndrueshme, prandaj edhe është rekomanduar lehtësimi i masave.
“Situata epidemiologjike me COVID-19 është stabile, me ç’rast rekomandohet lehtësimi i masave ekzistuese”, ka thënë Kurti duke shtuar se me këtë lehtësohet jeta e qytetarëve të Kosovës në shumë aspekte.