Shefi i kabinetit të Presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela ka bërë të ditur se Policia e Serbisë ka arrestuar kreun e Shtëpisë së Kulturës në komunën e Bujanocit, Jetmir Ismaili. Sipas Velës, Ismaili u arrestua për shkak se e lejoi një shfaqje teatrale të financuar nga institucionet e Kosovës.
Vela ka shkruar në “Twitter” se ky arrestim ka ndodhur nga represioni i egër prej regjimi të Vuçiç. Sipas tij, Ismaili duhet të lirohet menjëherë nga paraburgimi.
“Policia e Serbisë arrestoi kreun e Shtëpisë së Kulturës në komunën e Bujanocit, Jetmir Ismaili, një shqiptar vendas për lejimin e shfaqjes teatrale të financuar nga institucionet e Kosovës! Represioni i egër nga regjimi i Vuçiqit. Z. Ismaili do të lirohet menjëherë nga paraburgimi”, ka shkruar Vela.
Ndaj këtij veprimi të shtetit serb ka reaguar Nevzad Lutfiu, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, sipas të cilit, aktualisht, i arrestuari Ismaili është duke u mbajtur në stacionin policor në Bujanoc.
“Sipas familjarëve, ai është marrë në stacionin policor për tu intervistuar rreth shfaqjes së një filmi të metrazhit të shkurtër, i cili është mbështetur nga Qeveria e Kosovës nëpërmjet Këshillit Kombëtar Shqiptar e që drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, i ka dhënë leje që të bëhet promovimi i tij nesër, po në Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc”, shkruan Lutfiu.