Leon Dajaku po konsiderohet si e ardhmja e Bayern Munichut.
Për yllin e ri kosovar ka shkruar së fundmi mediumi i madh gjerman, “Bild”.
18 vjeçari i ishte bashkuar gjigantit bavarez nga Stuttgarti.
Ai i ka zhvilluar tri ndeshje në Bundesligë deri tash.
Ai e kishte bërë debutimin me Stuttgartin në dhjetor të vitit 2018 kur ishte 17 vjeç.
“Mendoj se kishte tifozë që do të donin të më shihnin mua duke luajtur gjithmonë me profesionistët. Ata dëshironin lojtar të freskët, lojtarë të rinj”, thotë Dajaku për “Bild”, përcjell Gazeta Express.
Në Bayern, mesfushori ofanziv u bë pjesë e stërvitjeve të ekipit të parë prej mesit të nëntorit, pasi trajneri Hans Flick beson në aftësitë dhe potencialin e tij.
“Ishte ndjenjë e çuditshme para seancës së parë stërvitore. Papritmas, afër meje ishte Robert Lewandowski, të cilin e njihja vetëm përmes televizorit. Pastaj Joshua Kimmich e Serge Gnabry, të cilët më ndihmuan shumë”, vazhdoi ai.
Në dhomat e zhveshjes, ai ulet afër Thomas Mullerit, një tjetër yll i gjigantit bavarez.
“Nëse do të qëndroj aty, do të bëhem lojtar i madh”, shton Dajaku duke buzëqeshur.
Të shtunën që shkoi, ai e bëri debutimin me Bayernin në Bundesligë në duel me Wolfsburgun.
“Nëse nuk beson se je mjaftueshëm i mirë, nuk mund të shkosh në Bavari. Prandaj, nuk ka arsye të mos kem vetëbesim”, përfundoi Dajaku, i cili në lojën e tij e ka model Cristiano Ronaldon.