Bajer Leverkusen fitoi mbrëmjen e të dielës me rezultatin 2-0 kundrejt Këln dhe tani sheh veten të shkëputur 10 pikë përpara Bajern Mynih në tabelën e renditjes.
Pas përfundimit të ndeshjes, Granit Xhaka dha një intervistë për “ESPN” ku pohoi se qëndron ende me këmbë në tokë, kjo edhe për shkakun se sezonin e kaluar, kur ishte pjesë e Arsenal, ishte pothuajse në të njëjtën pozitë si “aspirinat” dhe në fund nuk arriti ta fitonte titullin kampion.
“Ne duhet të jemi krenarë për pozitën që kemi aktualisht por nuk është fituar akoma asgjë. Po flas për eksperiencën time nga sezoni i kaluar. Ne kishim një diferencë të ngjashme pikësh me vendin e dytë tek Arsenal dhe në fund e humbëm titullin kampion. 10 pikë janë shumë, por të mos harrojmë që kanë ngelur edhe 10 ndeshje, pra 30 pikë të tjera në lojë”.
Granit Xhaka mbetet një ndër lojtarët kyç të suksesit së Leverkusen këtë sezon. Deri më tani të besuarit e Çabi Alonsos akoma nuk kanë shënuar humbje dhe vazhdojnë garën e tyre për fitimin e të gjitha kompeticioneve në të cilat marrin pjesë.