Njerëzit e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të lëvizin edhe më lirshëm në rajon. Kjo falë marrëveshjes së arritur në takimin ministerial në kuadër të Procesit të Berlinit, përpara samitit të liderëve që mbahet në nëntor.
Njohja reciproke e diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale ishte një tjetër çështje që gjeti zgjidhje njëherë e mirë për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën, Serbinë, Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën.
Sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, tha se studentët që aktualisht paguanin deri në 500 euro vetëm për të njohur diplomat, me këtë ujdi kjo kosto do të jetë zero.
Gjithashtu njoftoi se muri i fundit i regjimit të vizave në Ballkanin Perëndimor, mes Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës po zhduket. Vulosjen e këtyre marrëveshjeve e konfirmoi dhe organizatorja e takimit ministerial, ministrja e jashtme gjermane, Annalena Baerbock.
“Kjo mund të tingëllojë si diçka teknike, por këto janë hapa historikë që ndryshojnë jetën e njerëzve. Kjo do të thotë që studentët nga Shqipëria mund të përdorin diplomën e tyre bachelor për të vazhduar studimet në Maqedoninë e Veriut dhe se një arkitekt nga Serbia mund të shkojë dhe të punojë në Mal të Zi.
Kjo është diçka që bëhet edhe në tregun e brendshëm europian”, tha Annalena Baerbock, ministre e Jashtme e Gjermanisë.
Më tej kryediplomatja gjermane tha se me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve, Ballkani Perëndimor bën një hap të rëndësishëm përpara në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Baerbock, ndër të tjera nënvizoi se kjo po lehtëson jetë e qytetarëve, po ndihmon kompanitë dhe rritjen ekonomike në mbarë rajonin. Në fund tha se prioritet i qeverisë gjermane është ruajtja e paqes, stabilitetit dhe progresit ekonomik të arritur në Ballkanin Perëndimor.