Përqendrimi i Perëndimit në ndërtimin e makinerisë së luftës së Ukrainës është zhvendosur ndjeshëm drejt riparimit dhe mirëmbajtjes së armëve, diçka që do të bëjë që “konflikti të zvarritet për muaj e vite”.
Këtë e ka bërë të ditur zyrtari kryesor i blerjeve të Pentagonit për “Politico”. Sipas gazetës së lartpërmendur, edhe përpara se Ukraina të niste kundërofensivën e saj këtë verë, aleatët ishin gjithnjë e më të shqetësuar se përpjekjet për të mbajtur në punë pajisjet e dhuruara nuk po përmbushnin nevojat e fushës së betejës. Sot, nevoja për të riparuar ato pajisje dhe për t’u kthyer në luftë është më urgjente se kurrë.
“Ne jemi duke ngritur objekte riparimi në Evropë, ne po përkthejmë manuale, ne duhet të bëjmë shumë më tepër së bashku, kështu që vendet partnere do të fokusohen më shumë në këtë”, zbuloi kreu i blerjeve dhe mirëmbajtjes së Pentagonit, William LaPlante.
Mbajtja në punë e pajisjeve moderne me vlerë miliarda dollarë në mënyrë që Kievi të mund të vazhdojë kundërsulmin e tij është një nga funksionet kryesore të një grupi pune prej 22 vendesh të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, Polonia dhe Mbretëria e Bashkuar, me LaPlante në krye.
Task-forca e dedikuar për të mbështetur jo vetëm Ukrainën, por edhe rifurnizimin e depove të mbrojtjes së SHBA dhe Evropës, takohet rregullisht si pjesë e Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës prej 50 vendesh të udhëhequr nga Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin, i cili mbajti takimin e tij të fundit mujor të martën, për të gjetur se çfarë tjetër mund të bihet dakord në listën e dëshirave të Kievit.
“Ne kemi bisedime të rregullta me homologët tanë ukrainas. Çfarë kanë nevojë më shumë? A ka më shumë pjesë që mund të dërgojmë? Në fakt, ne po gjurmojmë atë që quhet shkalla e disponueshmërisë së secilit prej këtyre sistemeve, pothuajse në kohë reale”, theksoi ky ekspert.
Për më tepër, lista e pajisjeve të dërguara në Ukrainë në 17 muajt e fundit është po aq befasuese në shpejtësinë me të cilën mbërriti, aq sa edhe në diversitetin e saj: ajo varion nga tanket gjermane deri te obusët amerikanë, mbrojtja ajrore italiane dhe automjetet britanike, polake, kanadeze, franceze dhe çeke. Dhe dërgesat vazhdojnë të vijnë.
Kundërofensiva nga forcat e armatosura ukrainase ka rezultuar e vështirë, duke rezultuar në “disa humbje të automjeteve luftarake Bradley të prodhuara nga SHBA, së bashku me disa tanke gjermane Leopard.
“Nëse ato janë të riparueshme, kthimi i atyre automjeteve në gjendjen e mëparshme është një prioritet”, shtoi LaPlante.