Lewis Hamilton ka habitur duke e pranuar se nuk i pëlqen aspak të drejtojë makinën në rrugë normale, për shkak se i duket shumë stresuese.
Duke folur për revistën Vanity të hënën, shtatë herë kampioni i Formula 1 tha se nuk i pëlqen të drejtojë makinën jashtë pistës së garave të formulës.
“Mendoj se është shumë stresuese. Unë përpiqem të mos bëjë gjëra që nuk më pëlqejnë në jetë”, tha Hamilton.
Duke biseduar për rrugët me trafik pranë Nice në veturën e tij Mercedes Smart, Hamilton nënvizoi: “Shikoni, ne jemi në këto rrugë, gjithçka mund të ndodhë”.
Më vonë, pasi trafiku u bë edhe më i dendur, ai shtoi: “Kjo është stresuese për mua tani. Kjo rrugë është e tmerrshme. Shumë rrëmujë po ndodh tani. Do të kthehem në sekondë”.
Hamilton e pranoi po ashtu se kishte menduar ta linte Formula 1 pas garës së fundit të sezonit të kaluar në Abu Dhabi vitin e kaluar, kur një interpretim kontrovers i rregullave bëri që Max Verstappen t’ia mohonte vozitësit britanik titullin e tetë të kampionit.
“Nuk e di nëse mund ta përshkruaj me fjalë atë që e ndjeva. E mbaj mend vetëm se qëndroja ulur në mosbesim. Nuk kisha forcë. Ai ishte njëri prej çasteve më të vështira që kam përjetuar një kohë shumë të gjatë”, tregoi ai.
Vendimet e marra nga drejtori i garës i FIA-s, Michael Masi, i cili dha dorëheqje më vonë, për futjen e makinës së sigurisë në pistë që i dha përparësi rivalit të tij më të madh, e tronditën Hamiltonin dhe ai nuk foli për këtë incident për javë të tëra.
“Natyrisht se e mendoja nëse doja të vazhdoja apo jo”, theksoi ai.
Hamiltoni ka kontratë me Mercedesin deri në fund të vitit të ardhshëm dhe thotë se e ka menduar vazhdimin e karrierës në Formula 1 edhe më tej.
“Do të gënjeja po të thosha se nuk e kam menduar të vazhdoj të jem në F1. Ende jam në mision, ende e dashuroj pilotimin e makinës dhe e sfidoj veten nga ajo”.