Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën e Pllanës në Lezhë, ku pasditen e sotme është gjetur i vdekur një 65-vjeçar, me shenja dhune. Policia dyshon se viktima është vrarë me armë zjarri.
Viktima, shtetasi Gj. T., 65 vjeç, banues në Pllanë, u gjet rreth orës 17:30 në breg të lumit Mat, pas një njoftimi për humbje kontaktesh.
Rreth orës 14:40, vajza e viktimës, shtetasja A. Gj., njoftoi Sallën Operative se kishte humbur kontaktet me babanë e saj. Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë nisën kërkimet.
“Pas gjetjes së trupit, nga këqyrja paraprake u konstatua se viktima kishte shenja dhune dhe një plagë në trup, që dyshohet të jetë shkaktuar nga armë zjarri.”, njofton policia.
Është ngritur menjëherë një grup i posaçëm hetimor, i cili ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor.
Kontroll territori për kapjen e autorëve
Policia ka nisur menjëherë një operacion të gjerë në zonë për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të dyshuar të këtij krimi.
Në aksionin e kontrollit të territorit janë përfshirë shërbimet e Policisë Vendore dhe ato të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër. Operacioni për kapjen e autorëve vijon ende.