Tërmeti i fuqishëm në Marok, me qindra të vdekur e të plagosur, ka sjellë reagimet e para të politikës botërore.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen (Ursula von der Leyen), ka shprehur ngushëllimet e saj për viktimat e tërmetit në Marok, nga samiti i G20-ës, i cili po zhvillohet në Indi.
“Zemra ime është me popullin maroken që u përball me tërmetin e tmerrshëm që mori qindra jetë mbrëmë,” shkroi Von der Leyen në X (Twitter).
Kryeministrja e Italisë, Xhorxha Meloni (Giorgia Meloni), shprehu ngushëllimet e saj për viktimat dhe gatishmërinë për të ndihmuar Marokun.
“Shpreh solidaritetin për kryeministrin Aziz Akhannouch me familjet e viktimave dhe me popullin maroken, duke demonstruar disponueshmërinë e plotë të Italisë për të mbështetur Marokun në këtë ngjarje,” tha Meloni.
Ngushëllimet e tij për viktimat në Marok i shprehu edhe kancelari gjerman Olaf Sholc (Olaf Sholz). Ai ka postuar në rrjetin e tij social, X, ish-Twitter, i cili e quan tërmetin “shkatërrues”. “Ngushëllimet tona shkojnë për të gjithë ata që janë prekur nga kjo fatkeqësi natyrore,” shkruan Sholc.
Presidenti francez Emmanuel Macron thotë se është “i shkatërruar” nga lajmi dhe shtoi se vendi i tij ishte “i gatshëm të ndihmojë me ndihmën e parë”.
Në një deklaratë nga Kremlini, Presidenti Vladimir Putin shprehu ngushëllimet e tij, duke thënë se Rusia ndante “dhimbjen dhe zinë e popullit mik maroken”.
Kryeministri spanjoll Pedro Sançez shkroi në rrjetin X: “Gjithë solidaritetin dhe mbështetjen time për popullin e Marokut në vazhdën e këtij tërmeti të tmerrshëm.“
Presidenti Rexhep Tajip Erdoan i Turqisë gjithashtu shprehu ngushëllimet e tij për popullin maroken, duke shtuar se vendi i tij i cili vetë u godit nga një tërmet i madh në fillim të këtij viti ishte gati të ofronte mbështetje.
Volodimir Zelenski i Ukrainës shprehu solidaritetin e tij me Marokun, duke i dërguar “ngushëllimet më të thella” Marokut.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu “ka dhënë udhëzime për të ofruar të gjithë ndihmën e nevojshme për popullin maroken”, sipas një njoftimi për shtyp nga zyra e tij.
Edhe Bashkimi Afrikan shprehu “dhimbjen e tij të madhe” për “pasojat tragjike” të tërmetit.