Ukraina vlerësoi guximin e tre udhëheqësve europianë të cilët bënë një udhëtim të gjatë e të rrezikshëm me tren nga Polonia në Kiev, për t’i treguar mbështetjen vendit në luftë.
Kryeministrat e Polonisë, Sllovenisë dhe Republikës Çeke u takuan me presidentin Volodimir Zelensky mbrëmjen e së martës, teksa në qytet kishte nisur shtetrrethimi.
“Nuk jeni vetëm”, thanë njëzëri 3 liderët, ndërsa uruan lavdi për Ukrainën.
Janez Jansa, kryeministër i Sllovenisë, u shpreh: “Jemi këtu për t’ju thënë se nuk jeni vetëm, lufta juaj është edhe e jona. Lavdi Ukrainës”.
Petr Fiala, kryeministri i Republikës Çeke, deklaroi: “Ju po luftoni për jetën dhe lirinë tuaj, por ne e dimë se po luftoni edhe për jetët dhe lirinë tonë dhe kjo është për ne shumë e rëndësishme. Mesazhi i vizitës sonë është t’u themi miqve ukrainas se nuk jeni vetëm”.
Kryeministri Mateuz Moraviecki tha se Europa “nuk do të ishte kurrë më e njëjta nëse do të humbte Ukraina”, ndërsa i bëri thirrje Brukselit zyrtar të veprojë sa më shpejt për t’i garantuar Kievit statusin e vendit kandidat: “Shpresoj se do të dakordësohemi gjatë ditëve apo javëve në vazhdim për dhënien e statusit kandidat, më e shumta në fund të këtij viti”.
Teksa zhvilloheshin bisedimet, shpërthime të fuqishme u dëgjuan rreth Kievit. Kryeministrat udhëtuan me tren, pasi mbërritja me një avion ushtarak polak do të shihej si akt provokues nga Rusia.