Liderja e opozitës në Bjellorusi, Svetlana Tikhanouskaya, ka udhëtuar në Lituani dhe është e sigurt, tha ministri i Jashtëm i Lituanisë, Linas Linkevicius, në një postim në Twitter të martën.
Tikhanouskaya doli si rivalja kryesore e Alyaksandr Lukashenka në zgjedhjet presidenciale të së dielës.
Ekipi i saj nuk ishte në gjendje të kontaktonte me të në telefon të hënën, pasi ajo u largua nga ndërtesa e komisionit zgjedhor. Më herët ajo u tha gazetarëve se jo Lukashenka por ajo i ka fituar zgjedhjet.
Të paktën një person u vra, dhjetëra u plagosën, dhe më shumë se njëqind demonstrues u arrestuan të dielën në mbrëmje dhe herët të hënën në mëngjes, gjatë trazirave në rrugët e Minskut dhe qyteteve të tjera në Bjellorusi.
Forcat e sigurisë u përleshën me mbështetësit e opozitës, të cilët nuk i njohin rezultatet e zgjedhjeve, që u fituan bindshëm nga presidenti aktual, Alyaksandr Lukashenka. Svyatlana Tsikhanouskaya, tha në një konferencë për media se ajo nuk i njeh rezultatet. Tikhanovskaya ka vendosur të garojë në zgjedhje, pasi bashkëshorti i saj është ndaluar të kandidojë dhe është arrestuar në fillim të këtij viti.
Autoritetet shtetërore e kanë akuzuar burrin e Tikhanovskayas, Syarhey Tsikhanouski, për bashkëpunim me mercenarët rusë, për të shkaktuar trazira përpara zgjedhjeve. Tikhanovskaya i ka hedhur poshtë akuzat. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula van der Leyen ka dënuar dhunën kundër protestuesve në qytetet Bjelloruse. Lukashenka është në krye të Bjellorusisë që nga viti 1994.