Studiuesit britanikë dhe italianë po shqyrtojnë nëse ekziston një lidhje midis një sëmundjeje inflamatore, e cila prek rëndë fëmijët, dhe COVID-19. Mjekët në Italinë e veriut kanë raportuar raste të shumta të fëmijëve me simptoma të ngjashme me sëmundjen Kawasaki – e cila shkakton inflamacion të enëve të gjakut tek fëmijët. Këto simptoma janë vënë re edhe në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe në Spanjë.
Mjekët në Italinë e veriut kanë raportuar raste të shumta të fëmijëve me simptoma të ngjashme me sëmundjen Kawasaki – e cila shkakton inflamacion të enëve të gjakut tek fëmijët. Këto simptoma janë vënë re edhe në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe në Spanjë.
“Jemi informuar ditët e fundit për një sëmundje të rëndë tek fëmijët, që mund të jetë një sëmundje e ngjashme me Kawasakin. Pra, sëmundja Kawasaki është një gjendje inflamatore shumë e rrallë që shfaqet tek fëmijët. Shkaku shpesh nuk i dihet shpesh. Mund të lidhet me një numër gjërash“, tha Stephen Bowis, drejtor i mjekësisë në Angli.
Deri më tani mendohej se fëmijët ishin shumë më pak të rrezikuar sesa të rriturit nga koronavirusi i ri. Por, sëmundja misterioze inflamatore e parë në Britani, Spanjë dhe Itali mund të kërkojë një rivlerësim të situatës.
Në Itali, kreu i pediatrisë në Institutin “Giannina Gaslini” u ka dërguar një shënim 10 mijë kolegëve të tij, duke i informuar për shqetësimin e shtimit të këtyre simptomave.
“Na kanë informuar se në zonat e Italisë ku ka patur një prani më të madhe të COVID-19, pediatrët kanë vënë re një rritje të papritur të rasteve të sindromës Kawasaki tek fëmijët”, thotë dr. Angelo Ravelli, drejtor i kujdesit pediatrik dhe reumatologjisë në Institutin “Giannina Gaslini”.
Dr. Ravelli thotë se megjithatë nuk duhet ngritur alarmi, pasi rastet nuk përfaqësojnë një fenomen të përgjithësuar dhe se deri më tani nuk flitet për qindra mijëra raste, por vetëm për disa raste.
Edhe Ministri britanik i Shëndetësisë konfirmoi se rastet janë sidoqoftë të rralla.
Ai tha se deri të martën, asnjë fëmijë në Mbretërinë e Bashkuar nuk dihet të ketë vdekur nga kjo sëmundje.
Shkaku i sëmundjes Kawasaki është i panjohur. Në raste të rënda shkakton inflamacion të arterieve të zemrës. Ajo gjithashtu shoqërohet me ethe, skuqje të lëkurës dhe fryrje të gjendrave.