Deputetët e opozitës të cilët kundërshtojnë nismat ligjore për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D do të marrim pjesë në seancën e nesërme ku ligjet janë rikthyer më yll të BE-së. Ata thonë se nuk u mbetet opsion për të bllokuar ligjet por do të shprehin përsëri kundërshtinë e tyre. OBRM-PDUKM-ja thotë se ligjet janë vendosur në procedurë vetëm 2 ditë pasi kanë arritur në Kuvend, kur procedura parashikon afat prej 10 ditësh për deputetët që të shqyrtojnë ligjet, është keqpërdorur ylli i BE-së dhe u hiqet e drejta deputetëve për debat.
“Në këtë shtet, jonormalja është bërë normale dhe i dëgjojmë se si na bindin se do të kursejnë 150 milion euro, para shtetërore. Nga çka do t’i kursejnë, nuk e dimë. Nga cili projekt, nuk e dimë, në cilën rrugë, nuk e dimë dhe vërtetë habitem nga deputetët që mbajnë anën e pushtetit. Absolutisht se të gjitha procedurat dhe ligjet në këtë Kuvend janë shkelur. Prandaj unë propozoj, nëse kjo vazhdon kështu, t’i heqim të gjitha komisionet ekzistuese, të ketë vetëm një komision universal për çështje evropiane…”, tha Nikolla Micevski, OBRM-PDUKM
E Majta ka pasur mbi 6000 mijë amendamente për të gjitha tetë ligjet që ishin në procedurë më herët. Tani thonë se do të dorëzojnë kallëzime penale për shkelësit e procedurës. Deputeti Borisllav Kërmov thotë se as formalisht nismat nuk janë në rregull për shkak se në to janë bosh pjesët ku duhet të sqarohet se me cilin ligj të BE-së bëhet harmonizimi.
“Një ligj i cili veçmë është lëshuar në procedurë normale në Komisionin amë, nuk mundet që tani papritur të ketë nevojë për yll të BE-së, ose ka ose nuk ka. Nga ana tjetër kemi deklaratën e zv/kryeministrit Mariçiq i cili pranoi se bëjnë vepër penale. Thonë se nuk ka asnjë bazë ligjore por veprimi është politik. Nëse nisemi nga kjo, ne mundemi që gjithçka të interpretojmë politikisht dhe të mos e marrim më në konsideratë sistemin e drejtësisë”, u shpreh Borisllav Kërmov, E Majta.
Por, pushteti vlerëson se ka mjaftueshëm argumente për të bindur edhe përfaqësuesit e BE-së në vend se ligjet janë në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe se Korridori 8 pranohet nga BE-ja.
“Ky shtet më në fund pas 50, 60 ose 70 vitesh meriton të lidhet edhe me perëndimin, edhe me lindjen, qytetarët e vendit meritojnë infrastrukturë të duhur dhe cilësore rrugore. Shumë herë gjithë të tjerët e kanë ulur kokën dhe kur duhej të tregohej guxim, kurajo dhe vendosmëri për miratimin e vendimeve historike si ky… Është vendim historik të bëhen qindra kilometra rrugë në shtet. Prandaj, përmes një takimi elaborues, duke elaboruar arsyen se pse bëhet kjo, do të flasim me përfaqësuesit e BE-së në shtet”, tha Martin Kostovski, LSDM.
Përfaqësues të BE-së në Shkup kanë thënë se vendosja e yllit të BE-së në ligjet e dorëzuara nga qeveria për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D nuk lidhet me harmonizimin e legjislaturës së vendit me atë evropiane. /Alsat.mk