Ligjvënësit britanik kanë thënë të mërkurën se ata kanë nënvlerësuar kërcënimin që vjen nga grupi mercenar rus Wagner prandaj duhet ta shpallin atë si organizatë terroriste.
Komisioni për Punë të Jashtme në Parlamentin Britanik ka thënë se sanksionet e vendosura nga autoritetet britanike ndaj grupit Wagner janë të pa mjaftueshme dhe se autoritetet nuk kanë bërë sa duhet për të hetuar dhe zbuluar aktivitetet e mercenarëve përtej Ukrainës.
Komiteti i cili përbëhet nga deputetët e shumicës dhe opozitës në komunikatë ka shkruar se rrjeti i Wagner nëse lejohet që të lulëzojë do të krijojë kërcënim serioz ndaj sigurisë nacionale të Britanisë dhe aleatëve të saj. Ata kërkuan formalisht që Rrjeti Wagner të shpallet organizatë terroriste, raporton The Associated Press.
Në një raport rreth 78 faqesh, komiteti ka thënë se grupi Wagner i cili ka lidhje të ngushta me shtetin rus, vepron si një mafi kriminale ndërkombëtare që mbijeton nga korrupsioni dhe përdorimi i resurseve natyrore sidomos në Afrikë ku ky grup ofron shërbime sigurie e ushtarake për liderët autoritarë.