Zbulimet arkeologjike që e nxjerrin fshatin Lin të Pogradecit si vendbanimin më të vjetër në Europë, kanë bërë jehonë edhe në mediat ndërkombëtare, duke shtuar ndjeshëm interesin e turistëve të huaj për ta vizituar zonën dhe për t’u akomoduar aty. Vetëm në 7 muajt e parë të vitit, fshati ka pritur mbi 5 mijë vizitorë, kryesisht të huaj, të cilët shfaqin interes të veçantë për fshatin dhe për bazilikën paleokristiane.
“Sa i përket bazilikës, ajo është një nga atraksionet kryesore, kjo falë edhe promovimit që i është bërë gjatë gërmimeve për zbulimin e vendbanimit palafit 8100-vjeçar i certifikuar tashmë”, tha Ledjan Zeqollari, drejtor i turizmit në Bashkinë Pogradec.
Për të huajt, Lini, natyra dhe gjithçka që ndodhet përreth mbetet një surprizë sapo e shohin nga afër. Turistët shprehen të mahnitur me atë çfarë gjejnë pranë liqenit të Pogradecit, ndërsa theksojnë se edhe gatimi vendas është një nga përvojat më të veçanta në pjesën shqiptare të liqenit.
“Erdhëm që nga Maqedonia e Veriut, ishim në Shën Naum dhe tani jemi duke shijuar Pogradecin. Fshati këtu është shumë i bukur, por shumë i nxehtë për ne anglezët, edhe bazilika është shumë e këndshme. Ushqimi këtu është padyshim shumë i shijshëm”, tha një turist anglez.
Helga Braka, menaxhere e një prej bujtinave në Lin, thotë se interesi i të huajve është në rritje të vazhdueshme. Sipas saj, vizitorët vijnë nga e gjithë bota, por numrin më të madh e zënë francezët. Për ta, surpriza më e madhe është natyra, qetësia dhe ajri i pastër.
“Prenotimet janë shtuar gradualisht, pjesa më e madhe e hotelit gjatë gjithë vitit është i rezervuar. Shumica e turistëve janë nga Franca, Gjermania. Janë të mahnitur me qetësinë, ajrin, gjumin e qetë që bëjnë. Nuk e prisnin kaq të bukur natyrën në Lin”, u shpreh Braka.
Megjithatë, një problematikë që është raportuar edhe nga vetë vizitorët mbetet infrastruktura rrugore. Ajo kërkon ndërhyrje të menjëhershme për të ofruar lehtësirat e nevojshme për turistët dhe pushuesit. Lini pritet të përballet me një rritje të mëtejshme të numrit të vizitorëve, për shkak të konfirmimit zyrtar si vendbanimi më i vjetër i Europës, rreth 8,500 vjeçar./rtsh.al