Shqipëria ka pësuar një rënie të theksuar në raportin vjetor të organizatës Gazetarët pa Kufij përsa i përket lirisë së shtypit.
Në treguesin që përfshinë 180 vende, Shqipëria radhitet në vendin 103-të duke shënuar një rënie prej 20 vendesh krahasuan me vitin paraprak, duke u renditur në mesin e vendeve problematike.
Në raport thuhet se ndërsa pavarësia editoriale kërcënohet nga rregullimi partiak i medias, integriteti fizik i gazetarëve cenohet nga krimi i organizuar, nga dështimi i shtetit për t’i mbrojtur ata dhe madje edhe nga dhuna policore.
Sipas Zërit të Amerikës, klasa politike, thuhet në raport, kërcënon pavarësinë e redaksive nëpërmjet institucioneve shumë të politizuara të rregullimit të medias dhe menaxhimit të medias publike dhe se gazetarët kritikë ndaj qeverisë përballen me sulme të rregullta politike që synojnë t’i diskreditojnë ata dhe kanë vështirësi t’i qasen informacionit publik.
Raporti vë re se e ashtuquajtura paketë anti-shpifje, e cila do t’i jepte shtetit pushtet mbi përmbajtjen e mediave online dhe do të përforconte autocensurën, ende nuk është hequr qartazi nga agjenda politike, megjithëse versioni i saj fillestar është kritikuar nga Këshilli i Evropës, Bashkimi Evropian, të cilit Shqipëria dëshiron t’i bashkohet dhe nga organizatat ndërkombëtare për lirinë e shtypit.