Ministri i Jashtëm Hungarez Peter Szijjarto ka reaguar mbi vendimin e Serbisë për lirimin e 3 policëve të Kosovës nga Serbia. Szijjarto bëri me dije se ky vendim erdhi pas kërkesës së Hungarisë, ndërsa sqaron se Presidenti Serb, Aleksandër Vuçiç ka kontaktuar me Kryeministrin Viktor Orban, ku i ka konfirmuar se do lirohen 3 policët e Kosovës.
Ministri hungarez thekson se Kryeministri Orban ka vlerësuar hapin e ndërmarrë nga Presidenti Vuçiç, që vjen në një periudhë sfidash serioze.
“Presidenti serb Aleksandër Vuçiç sapo e njoftoi kryeministrin Viktor Orbán se, sipas kërkesës së formuluar në takimin e tyre javën e kaluar, autoritetet serbe së shpejti do t’i lirojnë nga paraburgimi tre policët e Kosovës të arrestuar më parë. Viktor Orbán vlerëson hapin e bërë nga presidenti serb në një periudhë sfidash serioze, që është një dëshmi e qartë e miqësisë së thellë mes kombit serb dhe hungarez dhe bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve”, shkruan ministri hungarez në rrjetin social Facebook.