Katër shtetasit çekë që u kapën dje në zonën e ndaluar të uzinës së Poliçanit, ku dy prej tyre ishin futur në një tunel dhe dy të tjerë po shkrepnin fotografi, janë lënë të lirë nga policia.
Mësohet se çekët do të hetohen në gjendje të lirë.
Turistët kanë pretenduar se janë turistë dhe se kishin ngatërruar rrugën dhe për pasojë kishin përfunduar në një prej tuneleve që të çon në uzinë.
Ndërkohë, prokuroria e Beratit do të vijojë hetimet në gjendje të lirë për këta shtetas.
Siç raportoi edhe dje policia, dy çekë, shtetasit me inicialet TH. M., 51 vjeç, dhe R. B., 42 vjeç, pasi kishin thyer derën e njërit prej tuneleve që të çonte në uzinën e Poliçanit, kishin qëndruar aty për disa orë. Ndërkohë, policia arrestoi jashtë tunelit dy bashkëjetueset e tyre, konkretisht shtetaset me inicialet P. B., 38 vjeçe dhe M. M. (G), 34 vjeçe, me kombësi çeke, të cilat ishin duke bërë foto me aparat fotografik.
Gjatë ndalimit të tyre nga policia, 4 shtetasit çekë pohuan se ishin turistë dhe se kishin humbur rrugën. “Jemi turistë, po bënim foto, humbën rrugën dhe u futëm brenda në tuneli. Nuk kemi qëllim të keq”, mësohet të jenë shprehur çekët.