Këtë fundjavë, i burgosuri më i vjetër në burgun e Guantanamos u lirua. Në moshën 75-vjeçare, Saifullah Paracha u ribashkua me familjen e tij në Pakistan pas më shumë se 17 vjetësh në paraburgim, në bazën amerikane në Kubë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ende të tronditur nga 11 shtatori, u fokusuan për disa vite në Lindjen e Mesme, me qëllim për të gjetur dhe persekutuar këdo që mund të kishte edhe marrëdhënien më të vogël me Al Kaedën.
Në këtë mënyrë, Paracha u bë një objektiv i Shteteve të Bashkuara në vitin 2003, nën dyshimet për përfshirjen e tij në grupin terrorist. Pas më shumë se një viti nga miratimi i lirimit të tij, në maj 2021, ish i burgosuri ka mundur të kthehet në vendin e tij. Shpjegimi për lirimin e tij ishte se “ai nuk ishte një kërcënim i vazhdueshëm për Shtetet e Bashkuara”, sipas fjalëve të Shelby Sullivan-Bennis, avokatit të tij.
“Kam 20 vite i burgosur në Guantanamo, pa gjyq. Zoti Biden, ju lutem, më lironi”. Këto ishin fjalët me të cilat i moshuari i drejtohej Presidentit amerikan përmes një letre.
Nga ana e tij, avokati u shpreh i kënaqur, por edhe kujtoi padrejtësitë amerikane prej vitesh: “Kthimi i shumëpritur i Saifullah Paracha në shtëpi ka dy anë. Është një gëzim i papërshkrueshëm, por edhe një kujtesë tragjike se si frika e Amerikës pas 11 shtatorit na çoi në thellësitë e shthurjes njerëzore, duke copëtuar familjet dhe duke i mbajtur anëtarët e tyre në burg për dekada”.
Paracha, një banor në SHBA, zotëronte pronë në Nju Jork dhe konsiderohej si biznesmen në vendin e tij. Sipas autoriteteve, ai ishte bashkëpunëtor financiar i Al Kaedës në sulmet e 11 shtatorit.
SHBA ka deklaruar tashmë në disa raste se mund të mbajë për një kohë të pacaktuar, pa akuzë, çdo person, siç përcaktohet në ligjet ndërkombëtare të luftës.