Andrew Mountbatten-Windsor është liruar nga paraburgimi policor, pas arrestimit të tij të enjten me dyshimin për keqmenaxhim në detyrën publike.
Andrew, i cili mbushi 66 vjeç sot, u ndalua nga policia gjatë një bastisjeje në orën 8 të mëngjesit në shtëpinë e tij të re në Wood Farm, në pronën e Sandringhamit. Ai u bë anëtari i parë i lartë i familjes mbretërore britanike që u arrestua në kohët moderne.
Policia konfirmoi se princi i mëparshëm ishte arrestuar pak pas orës 10 të mëngjesit të enjten, dhe që nga momenti që mbërriti në stacionin e policisë, policia kishte 24 orë kohë për ta mbajtur pa ngritur akuzë.
Andrew u fotografua duke dalë nga stacioni i policisë Aylsham në Norfolk rreth orës 19:00.
Në një deklaratë, policia tha se “një person në të gjashtëdhjetat” është liruar nën hetim.
Një zëdhënës shtoi se kontrollet që po kryheshin në Norfolk, lidhur me rezidencën e re të Andrew, Wood Farm, kanë përfunduar.
Ish-Duka i York-ut u arrestua lidhur me dyshimet se ai ka kaluar informacione të ndjeshme tek financieri i dënuar pedofil Jeffrey Epstein, ndërsa vepronte si përfaqësues tregtar për qeverinë britanike.
Vëllai i Andrew, Mbret Charles III, nuk u njoftua paraprakisht për arrestimin, megjithëse Daily Mail zbuloi se ekipi i Sekretares së Brendshme, Shabana Mahmood, ishte informuar nga një oficer i lartë herët në mëngjes.
Monarku tha në një deklaratë pa precedent se “ligji duhet të ndjekë rrjedhën e vet”, pas shprehjes “thellësisht të shqetësimit” për arrestimin e vëllait të tij të vogël me dyshimin për keqmenaxhim të detyrës publike.


